Archive June 2020

Ballkani ‘bashkë’ i integruar në BE? Kraki; Kujdes se mund të ketë luftëra!

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë “bashkë” në rrugëtimin e tyre drejt çeljes së negociatave. Madje ky fakt ka trazuar jo pak politikën e brendshme në Shqipëri. Opozita, e cila lëshon akuza ndaj qeverisë, thotë se vendi ynë mund të bëhet pengesë edhe për Maqedoninë e Veriut. Por analistët dhe njohësit e këtij procesi shkojnë edhe më tej. Ballkani si i tërë duhet të bëhet pjesë e integruar e BE-së. Megjithatë i gjithë rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në familjen evropiane ka hasur në mjaft sfida dhe vështirësi të mëdha. E këto jo vetëm përsa i përket kritereve të brendshme të secilit vend, por edhe për shkak të problematikave etnike që shoqërojnë Ballkanin prej dekadash. Nezir Kraki, politolog dhe pedagog në Francë e sheh procesin e integrimit të rajonit sa kaotik aq dhe të paparashikueshëm.

Kraki arrin në këtë përfundim pas një analize 30 vjeçare: “Që prej viteve 90 i gjithë Ballkani është angazhuar në një proces drejt integrimit në BE. Megjithatë ky proces ka qenë sa kaotik aq edhe i paparashikueshëm, sepse është ndikuar vazhdimisht nga rrethanat e Ballkanit për shkak të tensioneve ndëretnike, tragjedive nëpërmjet të cilat ka kaluar gjithë rajoni ynë. Kjo ka bërë që BE-ja ta shikojë Ballkanin edhe si tërësi që duhet integruar. Pretendimet e shteteve që nuk kanë arritur që ti qetësojnë tensionet, duket që edhe BE-së i është adaptuar këtyre rrethave dhe është angazhuar edhe në procese të vetme”.

Në këto kushte për Nezir Krakin  ka një rrugë të vetme për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor: Integrimi i të gjitha vendeve. Kjo sipas pedagogut Kraki do të ndikojë pozitivisht edhe në stabilitetin e rajonit.

Edhe pse është i vetëdishëm se mund të duket si mendim demode, Kraki thotë se: “Mund të tingëllojë arkaik, demode apo ndoshta edhe naiv si mendim, por dua të theksoj se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk ka dhe as nuk duhet të ketë alternativë. Çdo opsion tjetër do të çonte nëse jo drejt një lufte të re, minimalisht do të vazhdonte ciklin e mungesës së shpresës për popujt e këtyre vendeve. Një Ballkan në Bashkimin Evropian është rruga e vetme nëpër të cilën duhet të kalohet”.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor në 3 dekadat e fundit ka parë shumëçka. Luftëra etnike, probleme me kufijtë e arritjen e një paqeje të brishtë nën ndërhyrjen e botës perëndimore. Sfidat janë të mëdha e po ashtu edhe përfitimet. Për Nezir Krakin integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, do të kishte një impakt pozitiv jo vetëm në rrafshin politik por edhe atë ekonomik.

Edhe fakti që rajoni ynë ka një popullatë të re kjo do të jetë pozitive për vetë Bashkimin Evropian thotë i bindur pedagogu Nezir Kraki. Më tej Kraki shton se: “Mendoj që një Ballkan, pjesë e Bashkimit Evropian, së pari do të sillte një shpresë tek popujt e kësaj zone, sepse Ballkani do të bëhej pjesë e një politik-bërjeje më të madhe. Në aspektin ekonomik, një Ballkan pjesë e BE-së do të shndërrohej në një rajon të rëndësishëm për shtetet e BE-së, sepse është një zonë me një popullsi shumë më të re se sa vendet e Evropës”.

Avantazhet e procesit të integrimit janë të mëdha, por rruga nuk ka qenë e lehtë për asnjë prej vendeve të rajonit të Ballkanit. Kushtet janë të përcaktuara qartë për secilin vend dhe përmbushja e tyre po ashtu. Megjithatë Nezir Kraki shpreh bindjen se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit do të jenë bashkë në këtë rrugëtim.

Procesi i integrimit të Shqipërisë është medoemos i lidhur edhe me vendet e tjera të Ballkanit. Por BE-ja i ka ndryshuar strategjitë dhe secili shtet është menaxher i detyrave të tij në mënyrë që të përafrohet dhe të avancojë në proceset integruese. Për mendimin tim procesi i integrimit të Shqipërisë është i ndërlidhur edhe me procesin integrues të Serbisë dhe Kosovës. Për Bashkimin Evropian, Serbia, Shqipëria dhe Kosova, këto vitet e fundit po shihen si një bllok dhe idealisht duhet të integrohen në të njëjtën kohë”- thekson pedagogu Kraki.

E duke i parë në të njëjtën rrugë Shqipërinë dhe Kosovën,  Nezir Kraki thotë me bindje se tashmë politika në Tiranë e Prishtinë kanë një përgjegjësi të madhe në këtë proces.

Ndaj Nezir Kraki sugjeron: “Kjo do të qetësonte të dy popujt. Sepse kur flitet për shqiptarët dhe serbët në Ballkan, flitet më shumë në terma popuj se sa shtete sepse realiteti i terrenit këtë tregon. Në Ballkan ka popull shqiptar dhe serb dhe kjo nuk mund ta kufizojë këtë çështje brenda kufijve. Është mëse urgjente që Shqipëria dhe Kosova të dalin nga çoroditja politike, e cila nuk korrespondon absolutisht me vlerat e BE-së dhe kjo duhet të arrihet përpara integrimit”.

 *Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit Eksploro BE, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Opinionet e shpehura në të, janë përgjegjësi e Infinit + dhe Qendra Media dhe Cështjet Shoqërore dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BE – së. 

Vështirësitë e rrugëtimit drejt BE-së, Arta Dade bën një pasqyrë të plotë të situatës

30 vite demokraci, 30 vite rrugëtim drejt integrimit në familjen evropiane. Por ende sot Shqipëria vijon të “trokasë” pranë derës së Bashkimit Evropian. Rrugëtimi ka qenë i gjatë, herë – herë i thjeshtë, por herë të tjera mjaft i vështirë. Nuk ka kompromis me standardet evropiane ndaj Shqipërisë i është dashur të punojë shumë, e të ndërmarrë shumë reforma.

 Por puna ka qenë mjaft e madhe e natyrshëm ka dashur edhe shumë kohë. Arta Dade është një prej politikanëve që e ka ndjekur nga afër të gjithë këtë proces.

Integrimi i Shqipërisë në BE ka qenë një aspiratë e kahershme e shqiptarëve. Thirrja e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, daton shumë pas në vite, në vitin 1990. Pra i thonë 30 vite që shqiptarët aspirojnë për t`u bërë pjesë e BE- thekson Dade”.

Ish Ministre e Jashtme, ish kryetare e Komisionit Parlamentar të Jashtëm zonja Dade njeh çdo hap dhe çdo kusht që duhet të arrijë vendi ynë përpara se sa ai të jetë anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Ndërsa sot ne jemi mjaft pranë por në fakt rruga ka qenë shumë e vështirë. Krizat politike dhe jo vetëm, edhe ngjarjet e rënda që kanë shoqëruar vendin tonë kanë pasur ndikime negative në këtë proces. Madje ish Ministrja e Jashtme Arta Dade nuk ngurron të thotë se disa prej tyre kanë ndikuar shumë negativisht dhe kanë vonuar procesin e integrimit në familjen e madhe evropiane. Një prej tyre janë dhe trazirat e vitit të mbrapshtë ’97.

Dade shprehet se:  “”Ngjarjet ‘96-‘97 i kushtuan Shqipërisë të paktën 10 vite vonesë. Pikë së pari është zhbërja e shtetit, por në mënyrë të veçantë zgjedhjet e ’96-ës. Pas kësaj pasuan edhe ngjarjet e ’98-ës që detyruan BE-në që të krijonte “Miqtë e Shqipërisë”.

E teksa ngjarje të tilla kanë ndikuar mjaft negativisht në të gjithë rrugëtimin tonë drejt integrimit në familjen evropiane, edhe vetë klasa politike, qeveritë e ndryshme, zonja Dade i sheh si “fajtore” të kësaj vonese. Ajo nuk ngurron të thotë se:

“Qeveritë nuk i janë përgjigjur kësaj aspirate të kahershme të shqiptarëve. Vonesat në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian akuzojnë të gjitha qeveritë ndër vite. Ky ka qenë një proces i dominuar nga politika dhe jo nga ekspertët. Ndërsa të gjitha qeveritë ndër vite e kanë parë si një proces për të nxjerrë përfitime për partinë  e radhës, qeverinë e radhës”.

Duke qenë personalisht një eksponent i rëndësishëm në këtë proces, me kontribut në institucionet më të larta përgjegjëse për ecurinë e Shqipërisë drejt familjes evropiane, vetë zonja Dade nuk e ka menduar që vendit do ti duheshin kaq shumë vite dhe ende nuk është bërë pjesë e integruar e Bashkimit Evropian.

 Ajo thotë se : “Nuk e kam menduar kaq gjatë. Madje nuk e kam menduar kaq gjatë edhe kurrë vetë kam qenë Ministre e Jashtme. Është për të ardhur keq që edhe kur Shqipëria ka bërë hapa përpara ka ndodhur diçka që procesi është kthyer mbrapsht. Pra nuk ka qenë një proces linear”.

Pas 3 dekadash, pas reformash të mëdha dhe të thella a jemi gati që të jemi pjesë e familjes Europiane?

 “Besoj se duhet ti japet një shans Shqipërisë, që të hapen negociatat dhe pastaj fillon padyshim një sfidë tjetër, sfida e stafeve të kualifikuara  për të negociuar dhe për të bërë prezente ato arritje sado minimale që të jenë, por është shumë e rëndësishme mënyra se si ti si vend i marketon”.

Shqiptarët në masën 90% kërkojnë dhe duan integrimin e Shqipërisë në BE, shpresojnë për standarde dhe një nivel të ri social – ekonomik. Por megjithatë ky proces nuk shihet i ndarë nga Ish Ministrja e Jashtme Arta Dade me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit.

Zonja Dade thotë se: “ Aktorët e tretë, të cilët nuk do ta donin Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, do të përforconin përpjekjet e tyre për të penguar vendet e këtij rajoni të vazhdojnë progresin në Bashkimin Evropian dhe do ta donin këtë rajon të destabilizuar dhe në kaos”.

*Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit Eksploro BE, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Opinionet e shpehura në të, janë përgjegjësi e Infinit + dhe Qendra Media dhe Cështjet Shoqërore dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BE – së.  

Ekonomia shqiptare pjesë e tregut europian? Jemi larg na duhet ende shumë punë

Shqipëria vazhdon të hedhë hapa para e pas drejt çeljes së negociatave me Bashkimin Europian. Rruga deri në këtë moment ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Por Shqipërisë i duhet që krahas reformave të mëdha në disa fusha,  të përafrojë edhe standarded ekonomike.  E duket se në këtë pikë nuk jemi aq mirë sa duhet. Vetë eksponentë të shumicës dhe opozitës mendojnë se Shqipërisë do ti duhen edhe 50 vite që të arrijë standardin ekonomik të saj me mesataren e vendeve të BE-së. Një rrugë e gjatë duket por sërish Shqipëria nuk ka rrugë tjetër veçse të ecë përpara në këtë drejtim.

Por puna nuk ka nisur sot. Ashtu si për plotësimin e kritereve politike edhe plotësimi i kritereve ekonomike ka nisur që prej viteve ’90. Të gjithë e pranojnë se rrugëtimi ekonomik është vendimtar në procesin e integrimit të vendit në familjen europiane. Sipas kryetares së Komisionit të Ekonomisë Milva Ikonomi Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim dhe vështirësitë kanë qenë të mëdha. “Në përgjithësi ka qenë një rrugëtim i vështirë. Por padyshim është më i rëndësishmi. Sa kohe kriteri politik nuk është në nivelin e duhur ai ka dhënë pasojat edhe në kriterin ekonomik. Ndaj ne kemi marrë dhe reforma dhe më e rëndësishmja ka qenë reforma në drejtësi. Kjo reformë do të ketë ndikim edhe në ecurinë ekonomike”.

 Të gjitha partitë politike në vend, në qeveri apo në opozitë e konsiderojnë integrimin një objektiv madhor kombëtar. Ecuria ekonomike është e lidhur ngushtë  me rrugëtimin politik të vendit tonë drejt anëtarësimit në BE. Por rrugëtimi ka qenë i vështirë edhe për ekonominë përgjatë këtyre dekadave, megjithatë ky rrugëtim konsiderohet objektiv strategjik nga ish deputeti i PD Edmond Spaho i cili thotë se: “Objektivi për të qenë pjesë e Europës është objektiv strategjik. Përgjatë këtyre 30 viteve  është bërë një progres i madh. Është krejt ndryshe nga vitet ’90 kur u vendos ekonomia e tregut. Në një vështrim të përgjithshëm, ku të vlerësosh atë që është investuar dhe ajo që kemi arritur, krahasuar edhe me vendet e tjera, ne vazhdojmë të jemi vendi më i varfër i Europës, nivel të ulët pagash, dhe largim masiv të të rinjve. Të gjitha këto janë shenja për shoqërinë shqiptare dhe veçanërisht klasën politike, të analizojmë dhe gjejmë shkaqet pse kemi një diferencë kaq të madhe dhe çfarë masash duhen ndërmarrë që ky hendek të ulet. Pa arritur të mbyllim këto diferenca është e vështirë të bëhemi pjesë e Europës”.

 Ekspertët e procesit të integrimit janë të bindur se “detyrat e shtëpisë” kanë qenë të shkruara në raport progrese për të gjitha qeveritë, e mjafton që të lexojnë ato për të kuptuar se ritmi i përafrimit ka qenë i ndryshëm në kohë të ndryshme . Eksperti për integrimin Arben Kashahu thekson se: “Për të kuptuar si ka ecur rrugëtimi ekonomik për një qytetar do të ishte e mjaftueshme të lexohej progresi raporti,  ku trajtohet  çështja e përballjes së ekonomisë shqiptare me mundësinë e integrimit me një analizë të thellësishme. Ekonomia  shqiptare ka ecur në periudha të ndryshme me shpejtësi të ndryshme drejt BE-së”.

Por sot vendi është në një moment shumë të rëndësishëm kur unioni ka rekomanduar çeljen e negociatave për Shqipërinë. Sigurisht përveç vlerësimit politik, ky vendim  tashmë pritet të ketë një tjetër ndikim edhe sa i përket ecurisë dhe përafrimit të standardeve ekonomike Europiane. Gjithçka nis që nga legjislacioni.

MILVA IKONOMI, DEPUTETE E PS-së

“Shqipëria në çdo moment bëhet gati për tu bërë gati pjesë e BE. Përmirësimi i kuadrit ligjor është një nga sfidat kryesore. Shqipëria në çdo moment bëhet gati për të ndërtuar përafrimin e  legjislacionit. Procesi legjislativ kërkon edhe njohje individuale. Kështu sa kohë në bëhemi gati, ne përgatisim edhe individë që bëhen gati për tregun europian”.

EDMOND SPAHO, ISH DEPUTET I PD-së

“Është lajm shumë pozitiv dhe i mirëpritur nga të gjithë. Ne do të kemi një mundësi më shumë për një reformim të plotë dhe të kontrolluar më mirë nga institucionet e BE-së, si edhe tu përgjigjet më mirë nevojave që ka shoqëria shqiptare. Kohëzgjatja dhe thellësia e procesit do të varen nga shkalla e angazhimit në këtë proces”.

Sipas ekspertëve nëse hapen negociatat me Shqipërinë,  përvec përfitimeve direkte, do të rritet edhe ndërgjegjësimi i brendshëm pasi monitorimet do të jenë më të kujdesshme.  Ritmi për plotësimin e kritereve duhet të jetë më i shpejtë, e kjo vetëm sa do ta ndihmojë ekonominë shqiptare.