Archive July 2020

Ikën dhe studiuan në perëndim por u rikthyen në atdhe për të integruar Shqipërinë

IAta i shohim shumë shpesh në ekranet shqiptare. Janë prezent në debatet publike më të rëndësishme ndërsa zëri i tyre është mjaft i rëndësishëm për opinionin publik. Bëhet fjalë për pedagogun e njohur Endri Shabani dhe mjekun Artan Koni. Të dy kanë studiuar dhe punuar në perëndim por në fund vendosën të rikthehen në atdhe. Ata mendojnë se të rinjtë shqiptar janë mjaft të denjë për shoqëritë perëndimore por më e mira është që të vijnë dhe kontributin e tyre ta japin në atdhe.

Endri Shabani, sot aktivist i shoqërisë civile, thotë se shqiptarët nuk kanë pasur kurrë probleme me integrimin në  vendet perëndimore.  

Sipas tij vëmendja duhet kthyer te arësyet e largimit të të rinjve. Ai është në kontakt të përditshëm me studentët e ajo që sheh është e trishtë. Të gjithë duan të largohen nga vendi thotë Shabani, e kryefjala e këtyre largimeve është mungesa e shpresës. “Shqiptarët nuk ikin thjesht për arsye ekonomike. Shqiptarët ikin edhe pse nuk ndihen të vlerësuar, shqiptarët ikin sepse nuk ndihen pjesë e vendimmarrjes, të rinjtë ikin se nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre. Por edhe kur zgjedhin të largohen, kanë një tjetër problem: arsimi në vend nuk i pregatit mirë të rinjtë shqiptar për tregun Europian të punës. Aftësitë e individit nuk u mungojnë të rinjve shqiptar për të shkëlqyer në perëndim por përgatitja profesionale çalon. Një mjek shqiptar kur ikën në Gjermani gjasat që të ketë të njëjtin nivel profesional me homologët e tij është e ulët”.

Ka jetuar 16 vite jashtë Shqipërisë ku ka kryer studimet e më pas ka punuar për disa vite mjeku Artan Koni na rrëfen arsyet se përse zgjodhi të largohet nga vendi.Koni na sjell vendimin e tij për të studiuar e më pas për tu rikthyer në Shqipëri. Ai thotë se: “Unë ika jashtë për tu shkolluar dhe për të pasur një tjetër nivel profesional. E pasi arrita qëllimet e mia nuk kishte më kuptim që të rrija atje, pasi unë nuk shkova atje që të rri por shkova me synimin e përkohshëm: të shkollohesha, të kisha një arritje të lartë profesionale dhe të kthehesha”.

Ndihemi krenar për mjaft emra të rëndësishëm shqiptar nëpër botë. Madje edhe periudha e pandemisë së Covid 19 na njohu me shumë prej tyre. Por më e mira për Endri Shabanin është se të rinjtë shqiptar duhet të rikthehen dhe të japin kontributin e tyre në atdhe. Ai shton se: “Unë kam punuar si pedagog unë kam parë shumë të rinj shqiptarë që ia kanë dalë në fusha të ndryshme, në akademi, në muzikë në sport kudo në perëndim. Unë nuk mendoj se ne kemi probleme në mundësinë e integrimit dhe aftësive. Shqiptarët kanë dashur, pra ëndrra e shqiptarëve është ta bëjmë Shqipërinë sic është Bashkimi Europian. Aspirata ka qenë ta zhvillojmë Shqipërinë. Por ne si shtet nuk arrijmë dot të mbrojmë interesat e tonë, kryesisht duke mos mbajtur kapitalin e tyre njerëzor. Fatkeqësisht ne nuk iu japim të rinjve arsye për të qëndruar”.

Por të ikësh nuk është e lehtë, ta fillosh nga e para gjithashtu edhe pse shqiptarët na kanë bërë më shumë krenar.

Zgjedhjet kusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian

Jo vetëm drejtësia, edhe zgjedhjet janë një kusht i rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas çdo procesi zgjedhor, Shqipërisë i renditeshin pikat ku duhet të ndërhynte në Kodin Zgjedhor për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Politika ulej në tryeza të përbashkëta, kundërshtarët shtrëngonin duart dhe bashkonin votat për miratimin e ndryshimeve zgjedhore, të cilat synonin arritjen e standardeve në zgjedhje. Por sërish pas çdo procesi gjithçka niste nga e para, tryeza, komisione parlamentare, marrëveshje e konsensus politik, por zgjedhjet e lira e të ndershme ishin ende larg, standardet europiane ishin larg, e Shqipëria nuk përmbushte kështu një kriter të rëndësishëm për procesin e integrimit.

Këtë proces e shpjegon më mirë, një nga ekspertët më profesionistë të proceseve zgjedhore në vend, që ka drejtuar edhe Komisionin Qëndror të zgjedhjeve Kristaq Kume.  Drejtuesi i këtij institucioni edhe në periudha të vështira sic ishte ajo  i vitit ’97 e Kristaq Kume na rrëfen se si ka qenë rrugëtimi i gjithë proceseve zgjedhore në vendin tonë.

Kristaq Kume:

“Zgjedhjet e para pas 90-ës, ku dhe përqindja ka qenë shumë e madhe, kanë qenë proces plebishitar. Shqiptarët u shprehen për largimin nga diktatura që ishte instaluar për 5 dekada. Më pas partitë politike filluan të ngjizin sjellje jo për përmirësimin e standardeve zgjedhore por që të garantonin pushtetin e tyre”.

Por nuk ka qenë i lehtë i gjithë rrugëtimi zgjedhor në vend përgjatë tranzicionit shqiptar. Ashtu siç ka qenë rrugëtimi i Shqipërisë e uljet dhe ngritjet e saj edhe proceset zgjedhore kanë pasur luhatjet e tyre, madje disa herë shumë të forta dhe dramatike për vendin. Ish kreu i KQZ Kristaq Kume thotë se: “Plotësimi i standardeve të zgjedhjeve nga njëri proces në tjetrin nuk ka ecur në mënyrë linerare. Ka pasur uljet dhe ngritjet por në përgjithësi trendi ka qenë pozitiv”.

Por duke qenë se proceset zgjedhore, arritjet e standardeve më të larta demokratike janë edhe kusht i vendosur nga Brukseli për ecurinë e vendit drejt integrimit të plotë në familjet Europiane, qeveritë gjithsesi kanë punuar për  arritjen e standardeve. Kështu Kristaq Kume na sjell në vmendje edhe zgjedhjet ku u arritën standarded më të larta e po ashtu dhe rastet më negative. Kume thotë se:”Janë zgjedhjet e 2013-ës ato që kanë arritur standardet më të larta në Shqipëri. Po ti referohemi edhe raportit të OSBE ODHIR, ato e konsiderojnë procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2013 si një progres ku u arrit plotësimi i standardeve më të mira zgjedhore në Shqipëri. Ndërsa zgjedhjet që shënjuan njollë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri janë ato të vitit ’96”.

Duke qenë kusht për integrimit reforma zgjedhore ka bashkuar palët. Madje edhe sot, kohë kur klasa politike është e përfshirë në një krizë të paprecedentë sërisht ndryshimet në Kodin Zgjedhor bënë bashkë të majtë e të djathtë. Ata kanë arritur kompromisin e parë.  Synimi është i qartë miratimi i ndryshimeve zgjedhore me konsensus. Por rëndësia në procesin e integrimit të zgjedhjeve në Shqipëri është theksuar në vazhdimësi nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ndaj dhe angazhimi i tyre ka qenë i madh dhe i vazhdueshëm në këtë drejtim.

Por pavarësisht këshillës apo kujtesës për rëndësinë që kanë zgjedhjet në procesin integrues të vendit, sërish për ish kreun e KQZ partitë në plan të parë kanë vënë pushtetin e tyre. Kristaq Kume thotë se: “Në prononcimet e përsëritura të ndërkombëtarëve gjejmë gjejmë deklarata se procesi zgjedhor është shumë i rëndësishëm jo vetëm për zgjedhjen e pushtetit por dhe për ecurinë e integrimit. Ky ka qenë sfond që ka shoqëruar gjithnjë proceset zgjedhore. Ndjenja për të marrë pushtetit ka mbizotëruar më shumë sa sa interesi për të arritur standardete në procese zgjedhore”.

Reforma në drejtësi dhe integrimi në BE

140 vota pro reformës në drejtësi dha politika shqiptare në vitin 2016. Të majtë e të djathtë bashkuan votat për një nga reformat më të rëndësishme që i duhej vendit edhe në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Reforma në drejtësi është një prej kushteve themelore të kërkuara nga Brukseli.  Megjithatë jo gjithçka ka shkuar siç duhet. Kur Shqipëria ka 4 vite që ka miratuar reformën në drejtësi, nëpërmjet ndryshimeve Kushtetuese,  ende sot ajo nuk është implementuar si e plotë, madje duke krijuar jo pak problematika. Ndërsa shkaqet e kësaj vonese i rrëfen avokatja Enida Bozheku e cila thekson:

Këto janë reforma strukturore që prekin Kushtetutën. Jemi shumë vonë për sa i përket parashikimit të BE-së. Jemi në një fazë që edhe vetë sistemi e krijoi këtë ngërç pasi reforma filloi aplikimin e saj me shkallët më të larta si psh Gjykatën Kushtetuese, pra duke e zbrazur vendin nga institucionet. Kjo ka sjellë një ngërç institucional dhe besueshmërie tek kjo reformë”. 

E kur diçka nuk ecën siç duhet kërkohen fajtorët, shkaktarët e saj. Avokatja e njohur Enida Bozheku e sheh fajin tek politika shqiptare.

Klasa politike që në fillimet e veta e ka ditur që reforma në drejtësi do të ishte e dështuar në lidhje me kohën, ranë afatet kohore. 140 votat ishin të imponuara, sepse asnjë nga klasa politike nuk ka interes për një reformë në drejtësi efikase dhe të shpejtë sepse do të prekte pozitat e tyre. Mendoj se ata, pra politikanët, janë faktori dhe fajtorët e vonesës”.

Baza në një shoqëri demokratike është drejtësia, ndaj Shqipëria ndërmori një reformë kaq të thellë në drejtësi. Madje për këtë reformë kaq të rëndësishme edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian u angazhua personalisht ambasadori i SHBA-së në atë kohë Donald Lu si dhe ajo e BE Romana Vlahutin. Ishin ata që arritën kompromisin e gjerë politik, por që frytet duken ende larg. Por pse Enida Bozheku akuzon klasën politikë si shkaktare të vonesës së implementimit të reformës në drejtësi? Përgjigjja është direkte.

Të gjithë politikanët tanë, me pasuritë që përflitet që kanë, duan ti mbrojnë për shkak të paligjshmërisë të tyre. Ndaj një sistem drejtësie i fuqishëm, i pavarur dhe i pakontrollueshëm nga ata, do t`ua shkatërronte pasurinë. Kjo është arsyeja që nuk ka pasur interes për një reformë të thellë në drejtësi”.

Megjithatë puna për vënien në jetë të institucioneve të reja të drejtësisë vijon. Madje edhe në raportin e fundit kjo është pika me kërkesën kryesore të Brukselit për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt çeljes së negociatave. Pra Shqipërisë i duhet të ecë me shpejtësi në këtë drejtim në mënyrë që rruga të jetë e shpejtë dhe e shkurtër drejt anëtarësimit në familjen evropiane.

Ergys Mërtiri: Jemi larg plotësimit të 5 kushteve të BE-së

“Shqipëria ka arritur përparime jo përmes reformave, por për vetë faktin që ekonomia e lirë sjell zhvillim”. Kështu deklaron pedagogu, aktivisti i njohur Ergys Mërtiri lidhur me zhvillimin e vendit përmes reformave për të qenë pjesë e familjes evropiane. Duke mos i parë të lidhura direkt me njëra – tjetrën, Mërtiri thotë se zhvillimi është një trend i pandalshëm për të gjitha shoqëritë, edhe nëse ato nuk kanë kushte apo kritere që ju kërkohen.

Numri i kushteve që Bashkimi Evropian ka pasur për Shqipërinë në vite të ndryshme ka qenë i ndryshëm. Kështu në tetor të 2013, kohë kur u publikua edhe Progres – Raporti vendi ynë kishte 5 kushte themelore.

Qeverisë i kërkohej që të plotësonte këto kritere në mënyrë që të kapërcente edhe këtë hap të rëndësishëm në procesin e integrimit:

1- Implementimi i reformave në administratën publike

2- Pavarësia e sistemit të drejtësisë

3- Lufta kundër korrupsionit

4- Lufta kundër krimit të organizuar

5- Mbrojtja e të drejtave të njeriut

Po sot jemi afër apo larg plotësimit të këtyre kritereve? Një pyetje që e merr përgjigjen nga vetë raportet që Brukseli ka bërë për vendin tonë. Por pedagogu Mërtiri i sheh shumë të largëta plotësimin e këtyre kushteve nga Shqipëria.

E kur thotë këtë Ergys Mërtiri jep këtë argumentim: “Ne jemi në stadin që jo vetëm nuk i zbatojmë 5 kushtet e BE-së, por ato duken të pazbatueshme. Sepse po të zbatohen ato kushte do të eleminonin këtë klasë politike ose të paktën liderët e këtyre forcave politike”.

Argumentimi vijon edhe më tej nga pedagogu dhe aktivisti i njohur se ku jemi me plotësimin e kushteve të përcaktuara nga Brukseli për vendin tonë. Hapa pas janë bërë sipas Mërtirit në disa elementë shumë të rëndësishme.

Politika shqiptare gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë jo vetëm abuzive e korruptive, ka qenë një politikë  që ka synuar të zgjerojë pushtetin e saj në kurriz të parimeve  të cilat e mbajnë shtetin. Për shembull sot s`kemi Gjykatë Kushtetuese, pushteti vendor është në një dorë e parlamenti po ashtu. Ndaj s`mund të kemi avancim në plotësimin e këtyre kushteve, përkundrazi”.

Mërtiri merr në analizë njëri pas tjetrit të 5 kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian në 2013 e që ende sot janë busulla orientuese për Shqipërinë për t`u bërë pjesë e familjes evropiane. Kështu lufta kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit kanë qenë të theksuara thuajse në çdo progres – raport, e që janë edhe pjesë e 5 kritereve thelbësore të përcaktuara nga Brukseli. Megjithatë janë shumë reforma të ndërmarra në këtë drejtim dhe hapa mjaft të rëndësishëm duket se janë bërë. Megjithatë ato kanë qëndruar aty gjithnjë e duket se janë shkaktarët kryesore edhe të vonesës 30 vjeçare në këtë proces.

Fajtore në të gjithë këtë vonesë është dhe ajo që ka për detyrë të çojë më tej reformat, politika, thotë me bindje Ergys Mërtiri.

Politika është bërë pengesa kryesore dhe këtë mund ta shohim në shumë sektorë. Kemi vështirësi në shumë sektorë dhe në funksionimin e shtetit ligjor. Politikanët nuk duan rregullin dhe ligjin sepse rregullat dhe ligjet i pengojnë për të bërë korrupsion. Ata janë aty për të mbajtur pushtetin e tyre”.

Ndërsa tashmë Shqipëria ka marrë një PO shumë të rëndësishme sa i përket çeljes së negociatave, e detyra e Shqipërisë është që të plotësojë çdo kusht të vendosur nga Brukseli. Por ka një kompromis që Ergys Mërtiri nuk e pranon as për hir të integrimit. Ai thekson se: “Demokracia prodhon dhe mban stabilititen. Nëse ne sakrifikojmë themelet e shtetit demokratik për hir të stabilitetit, në fakt kemi prodhuar një shtet të kapur. Pra gjatë gjithë kësaj kohe është bërë e kundërta e asaj që duhet bërë”.

*Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit Eksploro BE, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Opinionet e shprehura në të, janë përgjegjësi e Infinit + dhe Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BE – së.