Ballkani ‘bashkë’ i integruar në BE? Kraki; Kujdes se mund të ketë luftëra!

Ballkani ‘bashkë’ i integruar në BE? Kraki; Kujdes se mund të ketë luftëra!

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë “bashkë” në rrugëtimin e tyre drejt çeljes së negociatave. Madje ky fakt ka trazuar jo pak politikën e brendshme në Shqipëri. Opozita, e cila lëshon akuza ndaj qeverisë, thotë se vendi ynë mund të bëhet pengesë edhe për Maqedoninë e Veriut. Por analistët dhe njohësit e këtij procesi shkojnë edhe më tej. Ballkani si i tërë duhet të bëhet pjesë e integruar e BE-së. Megjithatë i gjithë rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në familjen evropiane ka hasur në mjaft sfida dhe vështirësi të mëdha. E këto jo vetëm përsa i përket kritereve të brendshme të secilit vend, por edhe për shkak të problematikave etnike që shoqërojnë Ballkanin prej dekadash. Nezir Kraki, politolog dhe pedagog në Francë e sheh procesin e integrimit të rajonit sa kaotik aq dhe të paparashikueshëm.

Kraki arrin në këtë përfundim pas një analize 30 vjeçare: “Që prej viteve 90 i gjithë Ballkani është angazhuar në një proces drejt integrimit në BE. Megjithatë ky proces ka qenë sa kaotik aq edhe i paparashikueshëm, sepse është ndikuar vazhdimisht nga rrethanat e Ballkanit për shkak të tensioneve ndëretnike, tragjedive nëpërmjet të cilat ka kaluar gjithë rajoni ynë. Kjo ka bërë që BE-ja ta shikojë Ballkanin edhe si tërësi që duhet integruar. Pretendimet e shteteve që nuk kanë arritur që ti qetësojnë tensionet, duket që edhe BE-së i është adaptuar këtyre rrethave dhe është angazhuar edhe në procese të vetme”.

Në këto kushte për Nezir Krakin  ka një rrugë të vetme për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor: Integrimi i të gjitha vendeve. Kjo sipas pedagogut Kraki do të ndikojë pozitivisht edhe në stabilitetin e rajonit.

Edhe pse është i vetëdishëm se mund të duket si mendim demode, Kraki thotë se: “Mund të tingëllojë arkaik, demode apo ndoshta edhe naiv si mendim, por dua të theksoj se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk ka dhe as nuk duhet të ketë alternativë. Çdo opsion tjetër do të çonte nëse jo drejt një lufte të re, minimalisht do të vazhdonte ciklin e mungesës së shpresës për popujt e këtyre vendeve. Një Ballkan në Bashkimin Evropian është rruga e vetme nëpër të cilën duhet të kalohet”.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor në 3 dekadat e fundit ka parë shumëçka. Luftëra etnike, probleme me kufijtë e arritjen e një paqeje të brishtë nën ndërhyrjen e botës perëndimore. Sfidat janë të mëdha e po ashtu edhe përfitimet. Për Nezir Krakin integrimi i Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, do të kishte një impakt pozitiv jo vetëm në rrafshin politik por edhe atë ekonomik.

Edhe fakti që rajoni ynë ka një popullatë të re kjo do të jetë pozitive për vetë Bashkimin Evropian thotë i bindur pedagogu Nezir Kraki. Më tej Kraki shton se: “Mendoj që një Ballkan, pjesë e Bashkimit Evropian, së pari do të sillte një shpresë tek popujt e kësaj zone, sepse Ballkani do të bëhej pjesë e një politik-bërjeje më të madhe. Në aspektin ekonomik, një Ballkan pjesë e BE-së do të shndërrohej në një rajon të rëndësishëm për shtetet e BE-së, sepse është një zonë me një popullsi shumë më të re se sa vendet e Evropës”.

Avantazhet e procesit të integrimit janë të mëdha, por rruga nuk ka qenë e lehtë për asnjë prej vendeve të rajonit të Ballkanit. Kushtet janë të përcaktuara qartë për secilin vend dhe përmbushja e tyre po ashtu. Megjithatë Nezir Kraki shpreh bindjen se Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit do të jenë bashkë në këtë rrugëtim.

Procesi i integrimit të Shqipërisë është medoemos i lidhur edhe me vendet e tjera të Ballkanit. Por BE-ja i ka ndryshuar strategjitë dhe secili shtet është menaxher i detyrave të tij në mënyrë që të përafrohet dhe të avancojë në proceset integruese. Për mendimin tim procesi i integrimit të Shqipërisë është i ndërlidhur edhe me procesin integrues të Serbisë dhe Kosovës. Për Bashkimin Evropian, Serbia, Shqipëria dhe Kosova, këto vitet e fundit po shihen si një bllok dhe idealisht duhet të integrohen në të njëjtën kohë”- thekson pedagogu Kraki.

E duke i parë në të njëjtën rrugë Shqipërinë dhe Kosovën,  Nezir Kraki thotë me bindje se tashmë politika në Tiranë e Prishtinë kanë një përgjegjësi të madhe në këtë proces.

Ndaj Nezir Kraki sugjeron: “Kjo do të qetësonte të dy popujt. Sepse kur flitet për shqiptarët dhe serbët në Ballkan, flitet më shumë në terma popuj se sa shtete sepse realiteti i terrenit këtë tregon. Në Ballkan ka popull shqiptar dhe serb dhe kjo nuk mund ta kufizojë këtë çështje brenda kufijve. Është mëse urgjente që Shqipëria dhe Kosova të dalin nga çoroditja politike, e cila nuk korrespondon absolutisht me vlerat e BE-së dhe kjo duhet të arrihet përpara integrimit”.

 *Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit Eksploro BE, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Opinionet e shpehura në të, janë përgjegjësi e Infinit + dhe Qendra Media dhe Cështjet Shoqërore dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BE – së. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *