Pas Këshillit Evropian të Selanikut në qershor 2003, Shqipëria u bë vend kandidat potencial për anëtarësim në BE. Më 18 shkurt 2008, Këshilli miratoi një partneritet të ri evropian me Shqipërinë. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) u nënshkrua më 12 qershor 2006 dhe hyri në fuqi më 1 prill 2009. Marrëveshja e lehtësimit të vizave BE-Shqipëri hyri në fuqi në janar 2008, ndërsa marrëveshja e ri-pranimit hyri në fuqi në vitin 2006. Shqipëria e dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE më 28 prill 2009. Pas hyrjes në fuqi të MSA-së, u ngritën disa struktura të përbashkëta BE-Shqipëri (Këshilli i Stabilizim Asociimit dhe Nënkomitetet e tij) për monitorimin e procesit të zbatimit dhe përmbushjes së detyrimeve të dala nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Strukturat e përbashkëta BE-Shqipëri janë:
- Këshilli i Stabilizim Asociimit, i cili monitoron zbatimin dhe përmbushjen e MSA-së. Ai shqyrton çdo çështje në lidhje me MSA-në dhe çdo çështje tjetër bilaterale ose ndërkombëtare të një interesi të përbashkët. Këshilli i Stabilizim Asociimit është i përbërë nga anëtarë të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe anëtarë të Komisionit të Komuniteteve Evropiane nga njëra anë dhe anëtarë të Qeverisë së Shqipërisë nga ana tjetër.
- Komiteti i Stabilizim Asociimit është i përbërë nga përfaqësues të Këshillit të Bashkimit Evropian, përfaqësues të Komisionit të Komuniteteve Evropiane dhe përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë. Detyrat e këtij Komiteti përcaktohen nga Këshilli i Stabilizim Asociimit. Komiteti i Stabilizim Asociimit, në përgjithësi, garanton vazhdimësinë e asociimit dhe zbatimin e MSA-së. Komiteti shqyrton çdo çështje që i drejtohet nga Këshilli i Stabilizim Asociimit, si dhe çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e MSA-së.
- Komiteti i Stabilizim Asociimit ngre nënkomitetet e nevojshme për zbatimin e duhur të MSA-së. Nënkomitetet përbëhen nga anëtarë të Komisionit Evropian dhe anëtarë të Qeverisë Shqiptare. Shtetet Anëtare informohen dhe ftohen të marrin pjesë në takimet e nënkomiteteve. Nënkomitetet diskutojnë çështje në lidhje me zbatimin e MSA-së, bashkë me ecurinë e zbatimit të Partneritetit Evropian dhe progresit të bërë në lidhje me përafrimin e legjislacionit. Më tej, nënkomitetet shërbejnë si forume për një mirëkuptim të Acquis. Në çdo takim vlerësohet zbatimi i Partneritetit Evropian dhe progresi i arritur për përafrimin e legjislacionit. Nënkomitetet shqyrtojnë çdo çështje sipas sektorëve përkatës dhe sugjerojnë hapat e nevojshëm për t’u ndërmarrë në të ardhmen. Më tej, nënkomitetet shërbejnë si forume për të zgjeruar njohuritë mbi Acquis dhe të konsiderojnë progresin e Shqipërisë.
Më poshtë renditen shtatë nënkomitetet:
- Tregti, Industri, Doganat dhe Tatimet
- Bujqësia dhe Peshkimi
- Tregu i Brendshëm dhe Konkurrenca
- Çështjet Ekonomike dhe Financiare dhe Statistikat
- Drejtësia, Liria dhe Siguria
- Zhvillimi Teknologjik dhe Politika Sociale
- Transportet, Mjedisi, Energjia dhe Zhvillimi Rajonal.
Datat kryesore të rrugës së Shqipërisë drejt BE-së
http://eeas.europa.eu/delegations/albania/eu_albania/political_relations/index_en.htm