Category Kuriozitete

SI ËSHTË NDËRTUAR MARRËVESHJA E STABILIZIM-ASOCIIMIT?

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është e ndarë në tituj, kapituj dhe nene, përmbajtjen e të cilave do ta përshkruajmë shkurtimisht më poshtë, duke ndjekur një strukturë të ngjashme me atë të MSA-së. Dialogu politik Në kuadër të dialogut politik Shqipëria duhet të përshtasë qëndrimet e saj në politikën e jashtme me ato të diplomacisë së Bashkimit Evropian, duke humbur në këtë mënyrë një pjesë të sovranitetit të vet. Bashkëpunimi rajonal Bashkëpunimi rajonal është një nga kapitujt më të rëndësishëm të MSA-së dhe synon ta integrojë Shqipërinë sa më tepër në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Ky është një proces që përfshin të gjitha fushat e bashkëpunimit, që nga ai politik e ekonomik, deri tek bashkëpunimi institucional, social e kulturor. Shqipëria duhet të zhvillojë bashkëpunimin rajonal me vendet që kanë nënshkruar Marrëveshje StabilizimAsociimi, vendet e tjera të Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe vendet kandidate për anëtarësim në BE. Nëpërmjet bashkëpunimit rajonal synohet të krijohet një zonë stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik në rajonin e Ballkanit. Në të njëjtën kohë bashkëpunimi rajonal paraqet një shans për forcimin e rolit të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë si një partner i besueshëm në marrëdhëniet politike dhe tregtare. Hapja e tregut Shqipëria dhe Komuniteti Evropian do të hapin tregun ndërmjet tyre, gjë që do të thotë se ato do të heqin detyrimet doganore, kufizimet sasiore dhe masat e tjera që kanë këtë efekt për mallrat që do të eksportohen nga Shqipëria në Komunitetin Evropian dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, Palët nuk do të marrin masa për mbrojtjen e produkteve kombëtare në tregtinë që do të zhvillojnë ndërmjet tyre. Gjithashtu ndalohet vendosja e detyrimeve të reja doganore për importet ose ekportet, si dhe e kufizimeve të reja sasiore, duke synuar ruajtjen e nivelit ekzistues të hapjes së tregut ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Hapja e tregut ka edhe  elementë të tjerë përveç lëvizjes së lirë të mallrave; që të sigurohet efektshëria e kësaj të fundit parashikohet gjithashtu liria e shqiptarëve (dhe europianëve anasjelltas) për të ofruar shërbime, për të lëvizur lirisht kapitalin e tyre, për t’u vendosur dhe për të lëvizur lirisht në territorin e Komunitetit Evropian. Por këto liri jepen kundrejt plotësimit të një sërë kushteve nga ana e Shqipërisë. Çështje ligjore Këto janë çështje që lidhen me hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria drejt plotësimit të njërit prej kritereve të Kopenhagenit (është fjala për kriteret që duhet të plotësojë një shtet për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian; këto kritere u shpallën në Samitin e Kopenhagenit të vitit 1993): përfshirja e legjislacionit të Bashkimit Europian në korpusin ligjor të Shqipërisë dhe zbatimi i tij. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit nuk e vendos Shqipërinë menjëherë përpara këtij detyrimi, por kërkon që Shqipëria të hedhë hapat e nevojshëm për t’u përgatitur për përfshirjen e plotë dhe zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian. Kështu Shqipërisë fillimisht i kërkohet të përafrojë legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Evropian në disa fusha të rëndësishme për funksionimin e tregut dhe shtetit ligjor. Drejtësia, liria dhe siguria Në këtë fushë të Marrëveshjes Shqipëria duhet të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian për të forcuar institucionet e saj në të gjitha nivelet, por në veçanti ato institucione që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë. Bashkëpunimi ndërmjet Palëve synon fuqizimin, pavarësinë dhe efektshmërinë e funksionimit të sistemit gjyqësor dhe strukturave të tjera përgjegjëse për vendosjen dhe respektimin e shtetit ligjor. Bashkëpunimi në fushën e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë do të mbështetet në dy shtylla kryesore. Shtylla e parë lidhet me bashkëpunimin në fushën e lëvizjes së lirë të personave dhe parashikon një sërë dispozitash për vizat, azilin, migracionin, menaxhimin e kufirit dhe politika të tjera që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve. Shtylla e dytë lidhet me bashkëpunimin në luftën kundër fenomeneve të krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe drogave të paligjshme dhe parashikon dispozita sipas të cilave Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të angazhojnë strukturat e tyre policore dhe gjyqësore në një luftë të përbashkët kundër fenomeneve të lartpërmendura. Politikat sektoriale Politikat sektoriale përfshijnë një numër të madh fushash, disa prej të cilave janë me rëndësi strategjike për Shqipërinë, si: transporti, energjia, bankat, turizmi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme etj. Shqipëria do të përfitojë asistencë për ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e këtyre sektorëve. Megjithatë, asistenca e Bashkimit Evropian nuk do të thotë investime direkte në sektorët e lartpërmendur, por do të jetë e përqendruar në forcimin e kapaciteteve dhe ngritjen e strukturave të nevojshme për zhvillimin me efikasitet të politikave sektoriale. Asistenca financiare Bashkimi Evropian, në kuadër të politikave për t’u zgjeruar duke përfshirë vendet në lindje të kontinentit evropian, ka patur një angazhim konkret në Ballkanin Perëndimor që prej vitit 1991. Programet e ndihmës për Shqipërinë kanë qenë PHARE dhe CARDS. Këto programe kanë synuar të ndihmojnë Shqipërinë për të përparuar në procesin e Integrimit Evropian, duke u përqendruar (sidomos programi CARDS) tek rindërtimi i vendit, zhvillimi dhe stabilizimi i arritjeve në planin politik, ligjor dhe ekonomik. Programi i ri i asistencës së Bashkimit Evropian për Shqipërinë quhet IPA (Instrumenti i Para-anëtarësimit). Ky program i ri asistence do të marrë në konsideratë ndryshimet e ndodhura në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, si dhe fazën e tanishme të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Nëpërmjet IPA-s Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Shqipërinë të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

ÇFARË ËSHTË INTEGRIMI EVROPIAN?

Për të kuptuar integrimin evropian është e nevojshme të kuptohet fillimisht se çfarë do të thotë “integrim”. Pjesët e institucionit janë sektorët që e përbëjnë atë. Këta sektorë quhen të integruar, atëherë kur efektet që prodhohen tek njëri sektor ndikojnë në funksionimin e sektorëve të tjerë. Integrimi, ashtu si dhe efektet, mund të jetë pozitiv ose negativ, por është e rëndësishme të kuptohet që mbi të gjitha, integrim do të thotë që pjesët e ndryshme nuk mund të jenë më të izoluara, krejtësisht të pavarura dhe indiferente. Në një kuptim më të afërt me ndjeshmëritë njerëzore, integrim do të thotë solidaritet: do të thotë gëzim i përbashkët dhe hidhërim i përbashkët. Por çfarë është integrimi evropian? Në rastin e integrimit evropian pjesët që integrohen janë shtetet kombëtare. Ajo që shtetet kombëtare humbasin gjatë procesit të integrimit evropian është sovraniteti, që do të thotë se për një numër të konsiderueshëm çështjesh vendimet nuk mund të merren më prej qeverive të shteteve kombëtare, por prej institucioneve të Bashkimit Evropian. Ndërsa ajo që shtetet kombëtare fitojnë gjatë integrimit evropian është solidariteti, i kuptuar si treg i përbashkët, mbrojtje e përbashkët, monedhë e përbashkët, politikë bujqësore e përbashkët etj. Nga ana tjetër, solidariteti që rrjedh prej integrimit evropian bazohet në disa vlera themelore të përbashkëta, të cilat duhet t’i respektojnë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe ato vende që dëshirojnë të anëtarësohen në të. Këto vlera shpesh grupohen në të ashtuquajturat kritere, si më poshtë: Kriteri politik: Demokracia, Shteti i së drejtës, Mbrojtja e të drejtave të njeriut, Mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të minoriteve Kriteri ekonomik: Ekonomi tregu funksionale, e aftë të përballojë presionet konkurruese dhe forcat e tregut të BE-së Kriteri administrativ Aftësia për të përballuar detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian Kriteri politik thekson faktin që të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian funksionojnë mbi bazën e demokracisë liberale, shteti i së drejtës është i konsoliduar, të gjithë janë të barabartë para ligjit, të drejtat e njeriut janë të shenjta dhe minoritetet nuk i nënshtrohen diskriminimit. Përqafimi i këtyre vlerave është vendimtar dhe themelor për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Në këto rrethana, një pjesë e konsiderueshme e ndihmës së BE-së për Shqipërinë synon pikërisht ndërtimin dhe aplikimin e këtyre vlerave. Kriteri ekonomik synon të trajtojë çështjen e integrimit ekonomik në Bashkimin Evropian. Shqipëria, p.sh. duhet të forcojë ekonominë e vet, duhet të fusë teknologji të avancuara dhe të sigurojë se produktet dhe shërbimet shqiptare janë të standardeve dhe cilësisë së lartë, që nuk janë të dëmshme për konsumatorët, në mënyrë që të bëhet i mundur përballimi i konkurrencës me ekonomitë e shteteve anëtare të BE-së. Kriteri administrativ nënvizon nevojën e adoptimit (miratimit dhe zbatimit) të legjislacionit të Bashkimit Evropian në kuadrin ligjor të shtetit shqiptar. Për këtë nuk është thjesht e nevojshme që Parlamenti shqiptar të miratojë traktatet, direktivat, vendimet, rregulloret dhe akte të tjera ligjore të BE-së si pjesë e legjislacionit tonë, por në të njëjtën kohë Shqipëria duhet të forcojë administratën shtetërore për të bërë të mundur zbatimin e legjislacionit të ri.

SI PËRFAQËSOHEN QYTETARËT NË BASHKIMIN EVROPIAN?

Parlamenti Evropian, i zgjedhur nëpërmjet votës së qytetarëve evropianë, kryen funksionin e përfaqësimit të zërit qytetar në procesin e vendim-marrjes së BE-së. Siç shihet, në Bashkimin Evropian bëhet dallimi ndërmjet interesit kombëtar (të përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave dhe Këshilli Evropian) dhe interesit të përbashkët (të përfaqësuar nga Komisioni Evropian) nga njëra anë, dhe interesit të qytetarëve evropianë, nga ana tjetër. Kompetencat dhe influenca Parlamenti Evropian (shkurtimisht Parlamenti) ka një influencë jo të vogël në BE, të cilën e ushtron nëpërmjet procesit legjislativ, procesit buxhetor, dhe kontrollit e mbikëqyrjes së ekzekutivit.

Parlamenti mund të influencojë legjislacionin e BE-së në një sërë rastesh:

(1) Parlamenti shpesh merr pjesë në diskutimet e politikave së bashku me Komisionin në fazën legjislative të para-propozimit;

(2) Parlamenti mund të miratojë zyrtarisht idetë e veta për legjislacionin në fjalë (raporte iniciues ose ide për legjislacionin);

(3) Cikli buxhetor vjetor krijon mundësi që Parlamenti të ushtrojë influencë legjislative;

(4) Parlamenti mund të influencojë në mënyrë indirekte programin legjislativ vjetor të Komisionit – ky program diskutohet nga komitetet parlamentare në prani të përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe votohet nga Parlamenti;

(5) Parlamenti ka në dispozicion 4 procedura për të marrë në shqyrtim legjislacionin e rëndësishëm të BE-së:

1.Procedura e konsultimit (Parlamentit i kërkohet mendim në lidhje me propozimet legjislative të Komisionit);

2. Procedura e bashkëpunimit (pasi Këshilli i Ministrave ka marrë një pozicion të përbashkët lidhur me propozimin e Komisionit, duhet të japë arsyet për këtë pozicion të ndërmarrë para Parlamentit dhe të miratohet prej këtij të fundit me shumicë absolute votash, gjë që referohet edhe si “leximi i dytë”); 3.Procedura e bashkë-vendimmarrjes (në rast se Parlamenti dhe Këshilli arrijnë marrëveshje për propozimin e Komisionit gjatë “leximit të parë”, propozimi miratohet që në këtë fazë, në të kundërt ngrihet një komitet pajtimi kur Parlamenti e ndryshon propozimin me shumicë absolute votash. Nëse komiteti i pajtimit që përbëhet nga një numër i barabartë anëtarësh prej Këshillit dhe Parlamentit nuk arrin në marrëveshje të përbashkët, propozimi bie;

4.Procedura e miratimit (Parlamenti i merr në konsideratë propozimet gjatë një leximi të vetëm dhe nuk mund të bëjë ndryshime, por mund të vendosë veton).

Në lidhje me procesin buxhetor të BE-së Parlamenti mund të propozojë ndryshime për shpenzimet e detyrueshme (kryesisht në bujqësi), mund të propozojë ndryshime për shpenzimet jo të detyrueshme (shumica e fushave përveç bujqësisë) dhe, duke dhënë arsyet për këtë mund të kundërshtojë projekt-buxhetin e paraqitur dhe të kërkojë një të ri. Roli kontrollues dhe mbikqyrës i Parlamentit Evropian është më i vështirë për t’u luajtur në krahasim me atë që luajnë parlamentet kombëtare për dy arsye: së përi, organizimi i BEsë është shumë kompleks për të mundur të përcaktohet qartë përgjegjësia e zbatimit korrekt të politikave; dhe së dyti, për çështje me diapazon të gjerë është e vështirë të dallohet ndarja e roleve ndërmjet Komisionit, Këshillit të Ministrave dhe Këshillit Evropian. Pavarësisht këtyre vështirësive, Parlamenti p.sh. ka në dispozicion 8 kompetenca për të kontrolluar dhe mbikqyrur veprimtarinë e Komisionit:

(1) Kandidati për President i Komisionit Evropian miratohet nga Parlamenti;

(2) I gjithë Kolegji i Komisionerëve të propozuar duhet të miratohet nga Parlamenti;

(3) Parlamenti mund ta shkarkojë Kolegjin me dy të tretat e votave, por nuk mund të shkarkojë një Komisioner të vetëm;

(4) Diskuton në seancë të hapur raportin e përgjithshëm vjetor të dërguar nga Komisioni;

(5) Komisioni dërgon çdo vit në Parlament (dhe Këshill) të dhënat e vitit financiar të kaluar në lidhje me zbatimin e buxhetit;

(6) Komitetet e përhershme parlamentare mund të ushtrojnë në çdo kohë funksionin mbikëqyrës;

(7) Parlamenti mund të krijojë komitete të përkohëshme hetimore;

(8) Parlamenti mund t’i drejtojë pyetje Komisionit.

Në lidhje me Këshillin e Ministrave dhe Këshillin Evropian roli kontrollues dhe mbikqyrës i Parlamentit është shumë i kufizuar. Përbërja Të gjitha shtetet anëtare të BE-së, në një raport të caktuar sipas popullsisë që kanë, zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian. Vendi që ka më shumë përfaqësues është Gjermania, dhe më pas vijnë Britania e Madhe, Franca dhe Italia. Aktiviteti i partive politike ndodh në tri nivele në lidhje me Parlamentin Evropian: niveli tej-kombëtar (transnational), grupet politike në Parlamentin Evropian, dhe niveli kombëtar. Federatat tej-kombëtare janë formuar rreth parimeve të përgjithshme dhe ekzistojnë për synime koordinimi, propagandimi dhe elektorale. Tri janë federatat në Parlamentin Evropian: Partia e Popullit Evropian, e përbërë nga parti të qendrës së djathtë, Partia Liberale, Demokratike dhe Reformatore Evropiane, dhe Partia e Socialistëve Evropianë. Aktiviteti politik në Parlamentin Evropian kanalizohet kryesisht nëpërmjet grupeve politike, që duhet të kenë minimalisht 14 anëtarë.

 Janë 8 grupe të tilla: Grupi i Partisë së Popullit Evropian dhe Demokratëve Evropianë, Grupi i Partisë së Socialistëve Evropianë, Grupi i Partisë Liberale, Demokratike dhe Reformatore Evropiane, Grupi i Të Gjelbërve, Grupi Konfederal i Së Majtës Evropiane, Grupi I Bashkimit për Evropën e Kombeve, Grupi për një Evropë të Demokracive dhe Diversiteteve, dhe Grupi Teknik (ku bëjnë pjesë parlamentarët që nuk dëshirojnë të bashkohen me grupet e tjera).

Partitë politike kombëtare përfshihen në aktivitetet që lidhen me Parlamentin Evropian në tri mënyra kryesore:

(1) shumica e kandidatëve në zgjedhjet për Parlamentin Evropian zgjidhen nga partitë kombëtare;

 (2) fushatat për zgjedhjet në Parlamentin Evropian janë në thelb fushata që drejtohen nga partitë kombëtare;

(3) në Parlamentin Evropian ekzistojnë grupe të partive kombëtare brenda grupeve politike;

Çfarë është Acquis Communautaire

Acquis Communautaire (acquis) përfshin të gjithë legjislacionin e BE-së të miratuar nga institucionet e saj. Ai ndahet në tre tipe: legjislacion parësor; legjislacion dytësor; dhe jurisprudenca. Së bashku, ato formojnë legjislacionin e BE-së, i cili duhet të adoptohet nga vendet kandidate (duke ndryshuar legjislacionin e tyre përkatës) para se të bëhen anëtare të BE-së.
Acquis është një strukturë në evoluim dhe përbëhet kryesisht nga:

  • parimet dhe objektivat politikë të Traktateve mbi të cilat bazohet BE-ja;
  • legjislacioni dhe vendimet e miratuara në përputhje me Traktatet, dhe juridiksioni i ECJ-së;
  • akte të tjera ligjore, ligjërisht të detyrueshme ose jo, të miratuara në kuadër të Bashkimit Evropian, të tilla si marrëveshjet ndër-institucionale, rezolutat, deklaratat, rekomandimet, udhëzimet;
  • aksione të përbashkëta, pozicione të përbashkëta, deklarata, konkluzione dhe akte të tjera në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë;
  • aksione të përbashkëta, pozicione të përbashkëta, konventa të nënshkruara, rezoluta, deklarata dhe akte të tjera të nënshkruara në kuadër të politikës mbi çështjet e brendshme dhe drejtësisë;
  • marrëveshje ndërkombëtare të nënshkruara nga Komunitetet, midis Komuniteteve dhe Shteteve Anëtare, Bashkimit Evropian, dhe ato të nënshkruara nga Shtetet Anëtare midis tyre në lidhje me aktivitetet e Bashkimit Evropian. 

Këshilli i BE-së

Bashkë me Parlamentin Evropian, Këshilli është organi përgjegjës për miratimin e ligjeve të propozuara nga Komisioni. Ai përbëhet nga një anëtar për çdo Shtet Anëtar. Presidenca e Këshillit ndërrohet çdo gjashtë muaj, në mënyrë që një Shtet Anëtar i vetëm të mos ketë shumë ndikim në procesin e përzgjedhjes së politikave Komunitare. Takimet e Këshillit rregullohen në bazë të çështjeve për t’u diskutuar, gjatë të cilave mblidhen ministrat përkatës të Shteteve Anëtare. Gjithashtu, në këto takime merr pjesë edhe anëtari i Komisionit Evropian që është përgjegjës për çështjet që do të diskutohen në Këshill. Gjithashtu, Këshilli ka në dispozicion një sërë nën-komitetesh dhe grupe pune. Sipas çështjes për të cilën diskutohet Këshilli vendos me unanimitet, shumicë të kualifikuar, ose shumicë të thjeshtë. Shumica e kualifikuar arrihet me 255 vota nga 345 në total, duke përfaqësuar shumicën e Shteteve Anëtare. Më tej, një Shtet Anëtar mund të kërkojë një verifikim nëse shumica e kualifikuar përfaqëson të paktën 62% të popullsisë totale të Bashkimit.

  1. Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare
    Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare (ECOFIN) përbëhet nga ministrat e ekonomisë dhe financave të Shteteve Anëtare (në rast se diskutohen çështje të lidhura me buxhetin, atëherë thirren edhe ministrat përgjegjës për buxhetin). ECOFIN-i trajton shumë çështje duke përfshirë: koordinimin e politikave ekonomike, mbikëqyrjen ekonomike, monitorimin e politikave të buxhetit të ndjekura nga Shtetet Anëtare dhe financat publike, monedhën euro (aspekte ligjore, praktike dhe ndërkombëtare), tregjet financiare dhe lëvizjet e kapitalit si dhe marrëdhëniet ekonomike me vendet e treta. Në të vendoset kryesisht me shumicë të kualifikuar me përjashtim të çështjeve fiskale të cilat vendosen me unanimitet.
  2. Komiteti Ekonomik dhe Financiar
    Komiteti Ekonomik dhe Financiar (EFC) është një nën-komitet i Këshillit dhe përshin përfaqësues të 27-të Shteteve Anëtare të BE-së, përgjegjës për administrimin e borxhit publik ” zakonisht nga zyra e borxhit, ministria e financës ose banka qendrore kur këto çështje varen nga këto struktura kombëtare. Në këtë nën-komitet, përfaqësohen edhe Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane. Nën-komiteti u krijua në dhjetor të vitit 1997, me qëllim studimin e modaliteteve për konvertimin e borxhit në fazën 3 të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar dhe çështjeve të tjera të lidhura me titujt e qeverisë dhe ato të tregjeve në kontekstin e adoptimit të euros. Më tej, mandati i nën-komitetit ka qenë për të promovuar integrimin dhe funksionimin më të mirë të tregjeve të BE-së përsa u përket titujve të qeverisë.
  3. Komiteti i Shërbimeve Financiare
    Komiteti i Shërbimeve Financiare (FSC)  u themelua më 18 shkurt 2003 nga Këshilli ECOFIN me mandat për kryerjen e detyrave të mëposhtme: 
  • parashtron analiza ndër-strategjike në mënyrë te pavarur nga procesi legjislativ;
  • ndihmon për përcaktimin e strategjisë afatgjatë dhe afatmesme për çështjet e shërbimeve financiare;
  • shqyrton çështje sensitive afatshkurtra;
  • vlerëson progresin dhe zbatimin;
  • siguron këshillim politik dhe monitorim si për çështjet e brendshme (për shembull, tregu i përbashkët, përfshirë zbatimin e Planveprimit për Shërbimet Financiare) ashtu edhe për ato të jashtme (për shembull, Organizata Botërore e Tregtisë – OBT).

Cili ështe roli i Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian?

Procesi i integrimit evropian në Bankën e Shqipërisë, në veçanti pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më 1 prill 2009, bashkërendohet nga Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë, Integrimit Evropian dhe Komunikimit (DMJIEK). Ky Departament ka pasur një rol kyç në bashkërendimin e veprimtarive në lidhje me procesin e integrimit evropian, përfshirë hartimin e pjesëve përkatëse të Bankës së Shqipërisë në Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2012-2015.

Në veçanti, pjesët narrative të PKZMSA-së paraqesin situatën aktuale njëkohësisht me progresin e ekonomisë së Shqipërisë përsa i përket stabilitetit makroekonomik, hartimit dhe zbatimit të politikës monetare, si dhe bashkërendimin me politikën fiskale. Në këtë drejtim DMJIEK-u ka identifikuar dhe përditësuar përparësitë dhe masat e marra në fushat e stabilitetit makroekonomik, lëvizjes së lirë të kapitalit, të drejtës së vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve, duke parashikuar nismat e nevojshme ligjore, veprimtaritë zbatuese, asistencën teknike dhe kostot e pritshme në procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me Acquis.

Në të njëjtën kohë, DMJIEK-u ka shërbyer si një njësi bashkërenduese në Bankën e Shqipërisë për përpilimin e progres-raporteve (shqip dhe anglisht) përsa i përket zbatimit të PKZMSA-së. Këto raporte dorëzohen më pas në Ministrinë e Integrimit Evropian në përputhje me afatet e përcaktuara prej saj. Raportet reflektojnë progresin e bërë për zbatimin e masave ligjore dhe veprimtarive përforcuese në përputhje me parashikimet në PKZMSA dhe bëjnë një përshkrim të shkallës së përputhjes me Acquis përsa i përket akteve ligjore të miratuara nga Banka e Shqipërisë.

Përsa i përket asistencës nga Bashkimi Evropian, Banka e Shqipërisë ka qënë përfituese e fondeve të komponentit të parë të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA), nëpërmjet projektit të binjakëzimit me Bankën e Italisë dhe Bankën e Francës “Përforcimi i kapaciteteve institucionale të Bankës së Shqipërisë në fushat e mbikëqyrjes bankare, statistikave, sistemeve të pagesave dhe implementimit të politikës monetare”. Projekti u realizua gjatë periudhës nëntor 2010 – korrik 2012.

Gjithashtu Banka e Shqipërisë është përfituese e asistencës afatshkurtër të BE-së, nëpërmjet instrumentit TAIEX, duke realizuar një sërë aktivitetesh me ekspertët e bankave qendrore të BE-së.

10 fakte për Bashkimin Evropian

1. BE-ja mbulon një sipërfaqe prej 4 milion km2 dhe ka 508 milion banorë, që do të thotë popullsinë e tretë më të madhe në botë pas Kinës dhe Indisë.

2. Edhe pse ka një popullsi, e cila përfaqëson vetëm 7% të popullsisë botërore, marrëdhëniet tregtare të Bashkimit Evropian me pjesën tjetër të botës, përbëjnë rreth 20% të eksporteve dhe importeve globale.

3. Ekonomia e BE-së është më e madhe se ajo e SHBA-së. Prodhimi i brendshëm bruto i BE-së në vitin 2014 ishte 13.920.541 milion euro.

4. Të marra së bashku, 28 vendet anëtare të BE-së mbulojnë 16% të importeve dhe eksporteve në të gjithë botën.

5. BE-ja jep më shumë ndihmë për zhvillimin në botë se çdokush tjetër. Më shumë se gjysma e ndihmës për zhvillim në botë jepet nga Bashkimi Evropian.

6. Gjatë periudhës 2014-2020, BE-ja do të investojë 352 miliard euro në fusha si infrastruktura, biznesi, mjedisi dhe ngritja e kapaciteteve në të mirë të rajoneve dhe qytetarëve më të varfër të vendeve anëtare.

7. 23 milion bizneset e vogla dhe të mesme të BE-së bëjnë të mundur 67% të vendeve të punës dhe krijojnë 85% të vendeve të reja të punës.

8. Euro, monedha e BE-së në 19 Shtete Anëtare, ofron më shumë zgjedhje, më shumë stabilitet në çmime për konsumatorët, si edhe bashkëpunim
më të ngushtë ekonomik mes vendeve të BE-së.

9. Në themel të strategjisë së BE-së për një ekonomi më konkuruese qëndrojnë zhvillimi dhe kërkimi shkencor.

10. Konsumatorët e BE-së mbrohen nga disa ligje bazë në të gjithë BE-në, si edhe kur bëjnë blerje në internet, apo kur udhëtojnë.