ÇFARË ËSHTË INTEGRIMI EVROPIAN?

ÇFARË ËSHTË INTEGRIMI EVROPIAN?

Për të kuptuar integrimin evropian është e nevojshme të kuptohet fillimisht se çfarë do të thotë “integrim”. Pjesët e institucionit janë sektorët që e përbëjnë atë. Këta sektorë quhen të integruar, atëherë kur efektet që prodhohen tek njëri sektor ndikojnë në funksionimin e sektorëve të tjerë. Integrimi, ashtu si dhe efektet, mund të jetë pozitiv ose negativ, por është e rëndësishme të kuptohet që mbi të gjitha, integrim do të thotë që pjesët e ndryshme nuk mund të jenë më të izoluara, krejtësisht të pavarura dhe indiferente. Në një kuptim më të afërt me ndjeshmëritë njerëzore, integrim do të thotë solidaritet: do të thotë gëzim i përbashkët dhe hidhërim i përbashkët. Por çfarë është integrimi evropian? Në rastin e integrimit evropian pjesët që integrohen janë shtetet kombëtare. Ajo që shtetet kombëtare humbasin gjatë procesit të integrimit evropian është sovraniteti, që do të thotë se për një numër të konsiderueshëm çështjesh vendimet nuk mund të merren më prej qeverive të shteteve kombëtare, por prej institucioneve të Bashkimit Evropian. Ndërsa ajo që shtetet kombëtare fitojnë gjatë integrimit evropian është solidariteti, i kuptuar si treg i përbashkët, mbrojtje e përbashkët, monedhë e përbashkët, politikë bujqësore e përbashkët etj. Nga ana tjetër, solidariteti që rrjedh prej integrimit evropian bazohet në disa vlera themelore të përbashkëta, të cilat duhet t’i respektojnë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe ato vende që dëshirojnë të anëtarësohen në të. Këto vlera shpesh grupohen në të ashtuquajturat kritere, si më poshtë: Kriteri politik: Demokracia, Shteti i së drejtës, Mbrojtja e të drejtave të njeriut, Mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të minoriteve Kriteri ekonomik: Ekonomi tregu funksionale, e aftë të përballojë presionet konkurruese dhe forcat e tregut të BE-së Kriteri administrativ Aftësia për të përballuar detyrimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian Kriteri politik thekson faktin që të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian funksionojnë mbi bazën e demokracisë liberale, shteti i së drejtës është i konsoliduar, të gjithë janë të barabartë para ligjit, të drejtat e njeriut janë të shenjta dhe minoritetet nuk i nënshtrohen diskriminimit. Përqafimi i këtyre vlerave është vendimtar dhe themelor për vendet që kërkojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Në këto rrethana, një pjesë e konsiderueshme e ndihmës së BE-së për Shqipërinë synon pikërisht ndërtimin dhe aplikimin e këtyre vlerave. Kriteri ekonomik synon të trajtojë çështjen e integrimit ekonomik në Bashkimin Evropian. Shqipëria, p.sh. duhet të forcojë ekonominë e vet, duhet të fusë teknologji të avancuara dhe të sigurojë se produktet dhe shërbimet shqiptare janë të standardeve dhe cilësisë së lartë, që nuk janë të dëmshme për konsumatorët, në mënyrë që të bëhet i mundur përballimi i konkurrencës me ekonomitë e shteteve anëtare të BE-së. Kriteri administrativ nënvizon nevojën e adoptimit (miratimit dhe zbatimit) të legjislacionit të Bashkimit Evropian në kuadrin ligjor të shtetit shqiptar. Për këtë nuk është thjesht e nevojshme që Parlamenti shqiptar të miratojë traktatet, direktivat, vendimet, rregulloret dhe akte të tjera ligjore të BE-së si pjesë e legjislacionit tonë, por në të njëjtën kohë Shqipëria duhet të forcojë administratën shtetërore për të bërë të mundur zbatimin e legjislacionit të ri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *