Cili ështe roli i Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian?

Cili ështe roli i Bankës së Shqipërisë në procesin e integrimit Evropian?

Procesi i integrimit evropian në Bankën e Shqipërisë, në veçanti pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më 1 prill 2009, bashkërendohet nga Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë, Integrimit Evropian dhe Komunikimit (DMJIEK). Ky Departament ka pasur një rol kyç në bashkërendimin e veprimtarive në lidhje me procesin e integrimit evropian, përfshirë hartimin e pjesëve përkatëse të Bankës së Shqipërisë në Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) 2012-2015.

Në veçanti, pjesët narrative të PKZMSA-së paraqesin situatën aktuale njëkohësisht me progresin e ekonomisë së Shqipërisë përsa i përket stabilitetit makroekonomik, hartimit dhe zbatimit të politikës monetare, si dhe bashkërendimin me politikën fiskale. Në këtë drejtim DMJIEK-u ka identifikuar dhe përditësuar përparësitë dhe masat e marra në fushat e stabilitetit makroekonomik, lëvizjes së lirë të kapitalit, të drejtës së vendosjes dhe ofrimit të shërbimeve, duke parashikuar nismat e nevojshme ligjore, veprimtaritë zbatuese, asistencën teknike dhe kostot e pritshme në procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me Acquis.

Në të njëjtën kohë, DMJIEK-u ka shërbyer si një njësi bashkërenduese në Bankën e Shqipërisë për përpilimin e progres-raporteve (shqip dhe anglisht) përsa i përket zbatimit të PKZMSA-së. Këto raporte dorëzohen më pas në Ministrinë e Integrimit Evropian në përputhje me afatet e përcaktuara prej saj. Raportet reflektojnë progresin e bërë për zbatimin e masave ligjore dhe veprimtarive përforcuese në përputhje me parashikimet në PKZMSA dhe bëjnë një përshkrim të shkallës së përputhjes me Acquis përsa i përket akteve ligjore të miratuara nga Banka e Shqipërisë.

Përsa i përket asistencës nga Bashkimi Evropian, Banka e Shqipërisë ka qënë përfituese e fondeve të komponentit të parë të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA), nëpërmjet projektit të binjakëzimit me Bankën e Italisë dhe Bankën e Francës “Përforcimi i kapaciteteve institucionale të Bankës së Shqipërisë në fushat e mbikëqyrjes bankare, statistikave, sistemeve të pagesave dhe implementimit të politikës monetare”. Projekti u realizua gjatë periudhës nëntor 2010 – korrik 2012.

Gjithashtu Banka e Shqipërisë është përfituese e asistencës afatshkurtër të BE-së, nëpërmjet instrumentit TAIEX, duke realizuar një sërë aktivitetesh me ekspertët e bankave qendrore të BE-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *