Pyetje/Përgjigje

Këtu mund te gjeni përgjigje për pyetjet tuaja:


Pyetje: Kur u përdor për herë të parë termi “Evropë”?

Përgjigje:

Historia e Evropës dhe historia e Bashkimit Evropian nuk janë e njëjta gjë, edhe pse ka shumë pika takimi në momente të ndryshme historike. Termi “Bashkim Evropian” i përket shekullit XX, ndërkohë që termi “Evropë” daton shumë më herët. Termi “Evropë” u përdor për herë të parë gjatë civilizimit grek, por në dy kontekste: njëri mitologjik dhe tjetri gjeografik. Prej etimologjisë së këtij termi mund të ngrihen shumë hipoteza, por megjithatë fjala greke eurus do të thotë e gjerë, duke e lidhur në këtë mënyrë Evropën me hapësira të gjera territoriale.

 Në aspektin mitologjik Evropa konsiderohej si një femër shumë e bukur, e gjatë dhe me sy të mëdhenj. Gjithashtu Afrikës, në atë kohë i referoheshin shpesh me emrin Libia. Siç duket qartë, emrat e kontinenteve që njiheshin atëherë (Evropa, Azia, Afrika) në të gjitha versionet janë femërore. Kjo tendencë ka rezistuar deri në ditët tona, madje jo vetëm në lidhje me emrat e kontinenteve, por edhe të shteteve përbërëse të tyre.

Nga ana tjetër, në aspektin gjeografik, në lashtësi Evropa shihej si një territor i ndarë nga dy kontinentet e tjera: Azia dhe Afrika. Evropa konceptohej si territor i kufizuar në veri nga Deti i Veriut dhe në lindje nga Ngushtica e Bosforit. Ky ishte konteksti mitologjiko – gjeografik i “Evropës” përgjatë civilizimit grek.


Pyetje: Kur lindi Bashkimi Evropian?

Përgjigje:

Shumë shpejt u bë e qartë se sektorët e qymyrit dhe çelikut, pavarësisht prej rezultateve të arritura, nuk mund të zhvilloheshin në izolim. Një takim i ministrave të jashtëm të vendeve të Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut në Mesina të Italisë në 1955 rezultoi në marrëveshjen për të rifilluar idenë evropiane. Ata miratuan një propozim të ardhur nga vendet e Beneluksit për të punuar për ngritjen e një Evrope të bashkuar nëpërmjet krijimit të institucioneve të përbashkëta, shkrirjes progresive të ekonomive kombëtare, vendosjes së një tregu të përbashkët, dhe harmonizimit progresiv të politikave sociale.

U ngrit një komitet që kryesohej prej ministrit të jashtëm belg Paul-Henri Spaak për të marrë në shqyrtim alternativat e propozuara. Raporti i komitetit bëri të mundur fillimin e një raundi negociatash dhe nënshkrimin në Mars 1957 të dy Traktateve të Romës, njëri prej të cilëve krijoi Komunitetin Ekonomik Evropian, ndërkohë që tjetri krijoi Komunitetin Evropian të Energjisë Atomike (Euroatom).

Traktati i Komunitetit Ekonomik Evropian i angazhoi të gjashtë vendet për krijimin e një tregu të përbashkët brenda 12 vjetësh, duke hequr gradualisht të gjitha kufizimet për tregëtinë ndërmjet tyre, duke vendosur tarifa doganore të përbashkëta për mallrat e ardhura nga jashtë Komunitetit, duke hequr barrierat e lëvizjes së lirë të njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit ndërmjet shteteve anëtare, duke zhvilluar politika të përbashkëta bujqësore dhe transporti, dhe duke krijuar një Fond Social Evropian dhe një Bankë Evropiane Investimesh. Nga ana tjetër,

Traktati i Euroatomit luajti një rol të vogël në procesin dhe integrimit dhe u fokusua kryesisht në kërkimin shkencor. Ajo që me të drejtë festohet si datëlindja e Bashkimit Evropian është pikërisht data e themelimit të Komunitetit Ekonomik Evropian.