Ikën dhe studiuan në perëndim por u rikthyen në atdhe për të integruar Shqipërinë

Ikën dhe studiuan në perëndim por u rikthyen në atdhe për të integruar Shqipërinë

IAta i shohim shumë shpesh në ekranet shqiptare. Janë prezent në debatet publike më të rëndësishme ndërsa zëri i tyre është mjaft i rëndësishëm për opinionin publik. Bëhet fjalë për pedagogun e njohur Endri Shabani dhe mjekun Artan Koni. Të dy kanë studiuar dhe punuar në perëndim por në fund vendosën të rikthehen në atdhe. Ata mendojnë se të rinjtë shqiptar janë mjaft të denjë për shoqëritë perëndimore por më e mira është që të vijnë dhe kontributin e tyre ta japin në atdhe.

Endri Shabani, sot aktivist i shoqërisë civile, thotë se shqiptarët nuk kanë pasur kurrë probleme me integrimin në  vendet perëndimore.  

Sipas tij vëmendja duhet kthyer te arësyet e largimit të të rinjve. Ai është në kontakt të përditshëm me studentët e ajo që sheh është e trishtë. Të gjithë duan të largohen nga vendi thotë Shabani, e kryefjala e këtyre largimeve është mungesa e shpresës. “Shqiptarët nuk ikin thjesht për arsye ekonomike. Shqiptarët ikin edhe pse nuk ndihen të vlerësuar, shqiptarët ikin sepse nuk ndihen pjesë e vendimmarrjes, të rinjtë ikin se nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre. Por edhe kur zgjedhin të largohen, kanë një tjetër problem: arsimi në vend nuk i pregatit mirë të rinjtë shqiptar për tregun Europian të punës. Aftësitë e individit nuk u mungojnë të rinjve shqiptar për të shkëlqyer në perëndim por përgatitja profesionale çalon. Një mjek shqiptar kur ikën në Gjermani gjasat që të ketë të njëjtin nivel profesional me homologët e tij është e ulët”.

Ka jetuar 16 vite jashtë Shqipërisë ku ka kryer studimet e më pas ka punuar për disa vite mjeku Artan Koni na rrëfen arsyet se përse zgjodhi të largohet nga vendi.Koni na sjell vendimin e tij për të studiuar e më pas për tu rikthyer në Shqipëri. Ai thotë se: “Unë ika jashtë për tu shkolluar dhe për të pasur një tjetër nivel profesional. E pasi arrita qëllimet e mia nuk kishte më kuptim që të rrija atje, pasi unë nuk shkova atje që të rri por shkova me synimin e përkohshëm: të shkollohesha, të kisha një arritje të lartë profesionale dhe të kthehesha”.

Ndihemi krenar për mjaft emra të rëndësishëm shqiptar nëpër botë. Madje edhe periudha e pandemisë së Covid 19 na njohu me shumë prej tyre. Por më e mira për Endri Shabanin është se të rinjtë shqiptar duhet të rikthehen dhe të japin kontributin e tyre në atdhe. Ai shton se: “Unë kam punuar si pedagog unë kam parë shumë të rinj shqiptarë që ia kanë dalë në fusha të ndryshme, në akademi, në muzikë në sport kudo në perëndim. Unë nuk mendoj se ne kemi probleme në mundësinë e integrimit dhe aftësive. Shqiptarët kanë dashur, pra ëndrra e shqiptarëve është ta bëjmë Shqipërinë sic është Bashkimi Europian. Aspirata ka qenë ta zhvillojmë Shqipërinë. Por ne si shtet nuk arrijmë dot të mbrojmë interesat e tonë, kryesisht duke mos mbajtur kapitalin e tyre njerëzor. Fatkeqësisht ne nuk iu japim të rinjve arsye për të qëndruar”.

Por të ikësh nuk është e lehtë, ta fillosh nga e para gjithashtu edhe pse shqiptarët na kanë bërë më shumë krenar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *