Institucionet Evropiane

Institucionet Evropiane

Institucionet e BE-së nuk janë të organizuara sipas ndarjes tradicionale qeverisëse: legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe administrative. Në vend të kësaj, funksionet e ndryshme janë bashkërenduar.  Institucionet e BE-së, si Komisioni Evropian, Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian, bashkërisht hartojnë dhe miratojnë politika dhe ligje që zbatohen në të gjithë BE-në. Kështu, vetëm Komisioni ka të drejtën të propozojë ligje të reja, ndërsa Parlamenti dhe Këshilli i miraton ato. Kompetencat dhe përgjegjësitë e këtyre institucioneve përcaktohen në traktatet përkatëse.


1. Komisioni Evropian

Organi kryesor i Komisionit është Kolegji i Komisionerëve, i përbërë nga 27 anëtarë. Çdo Shtet Anëtar zgjedh një Komisioner për një periudhë 5 vjeçare. Komisioni është organ i pavarur ndaj qeverive të vendeve anëtare dhe përfaqëson dhe mbron interesat e Bashkimit si i tërë. Komisioni është mbrojtësi i Traktateve dhe mund të ndërmarrë veprime kundrejt Shteteve Anëtare me qëllim përmbushjen e interesave të Komunitetit.
Detyrat kryesore të Komisionit janë: 

  • E drejta e nismës për hartimin e legjislacionit: çdo vendim ligjor i marrë nga Këshilli duhet të bazohet në një propozim të Komisionit. Gjithashtu, Komisioni përgatit çdo vit planin legjislativ; 
  • Mbrojtës i Traktateve: Komisioni është përgjegjës për monitorimin e procesit të zbatimit të dispozitave të Traktateve dhe legjislacionit dhe për këtë mund të apelojë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë kur identifikohen shkelje të ndryshme; 
  • Autoritet ekzekutiv për zbatimin e politikave Komunitare: Kjo përfshin administrimin e financave si dhe zbatimin e politikave të BE-së.


2. Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian është institucion shumëkombësh i përbërë nga 785 deputetë. Zgjedhjet mbahen çdo pesë vjet dhe çdo shtetas i BE-së i regjistruar si votues, ka të drejtën e votës.  Parlamenti shpreh vullnetin demokratik të qytetarëve të BE-së (më shumë se 496 milionë persona) dhe përfaqëson interesat e tyre përkundrejt institucioneve të tjera të BE-së. Deputetët e Parlamentit Evropian ndahen në 7 grupe politike evropiane. Kjo ndarje nuk bazohet mbi kombësinë.
Detyrat kryesore të Parlamentit janë:

  • shqyrton dhe miraton legjislacionin evropian (sipas procedurës së bashkë-vendimit, Parlamenti e bashkëndan këtë pushtet në mënyrë të barabartë me Këshillin e BE-së);
  • miraton buxhetin e BE-së;
  • ushtron kontroll demokratik mbi institucionet e tjera të BE-së duke ngritur komisione hetimore;
  • miraton marrëveshje ndërkombëtare të rëndësishme si anëtarësimi i ndonjë vendi në BE dhe marrëveshjet e tregtisë dhe asociimit midis BE-së dhe vendeve të tjera.
     

3. Këshilli i BE-së

Bashkë me Parlamentin Evropian, Këshilli është organi përgjegjës për miratimin e ligjeve të propozuara nga Komisioni. Ai përbëhet nga një anëtar për çdo Shtet Anëtar. Presidenca e Këshillit ndërrohet çdo gjashtë muaj, në mënyrë që një Shtet Anëtar i vetëm të mos ketë shumë ndikim në procesin e përzgjedhjes së politikave Komunitare. Takimet e Këshillit rregullohen në bazë të çështjeve për t’u diskutuar, gjatë të cilave mblidhen ministrat përkatës të Shteteve Anëtare. Gjithashtu, në këto takime merr pjesë edhe anëtari i Komisionit Evropian që është përgjegjës për çështjet që do të diskutohen në Këshill. Gjithashtu, Këshilli ka në dispozicion një sërë nën-komitetesh dhe grupe pune. Sipas çështjes për të cilën diskutohet Këshilli vendos me unanimitet, shumicë të kualifikuar, ose shumicë të thjeshtë. Shumica e kualifikuar arrihet me 255 vota nga 345 në total, duke përfaqësuar shumicën e Shteteve Anëtare. Më tej, një Shtet Anëtar mund të kërkojë një verifikim nëse shumica e kualifikuar përfaqëson të paktën 62% të popullsisë totale të Bashkimit.

  1. Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare
    Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare (ECOFIN) përbëhet nga ministrat e ekonomisë dhe financave të Shteteve Anëtare (në rast se diskutohen çështje të lidhura me buxhetin, atëherë thirren edhe ministrat përgjegjës për buxhetin). ECOFIN-i trajton shumë çështje duke përfshirë: koordinimin e politikave ekonomike, mbikëqyrjen ekonomike, monitorimin e politikave të buxhetit të ndjekura nga Shtetet Anëtare dhe financat publike, monedhën euro (aspekte ligjore, praktike dhe ndërkombëtare), tregjet financiare dhe lëvizjet e kapitalit si dhe marrëdhëniet ekonomike me vendet e treta. Në të vendoset kryesisht me shumicë të kualifikuar me përjashtim të çështjeve fiskale të cilat vendosen me unanimitet.
  2. Komiteti Ekonomik dhe Financiar
    Komiteti Ekonomik dhe Financiar (EFC) është një nën-komitet i Këshillit dhe përshin përfaqësues të 27-të Shteteve Anëtare të BE-së, përgjegjës për administrimin e borxhit publik ” zakonisht nga zyra e borxhit, ministria e financës ose banka qendrore kur këto çështje varen nga këto struktura kombëtare. Në këtë nën-komitet, përfaqësohen edhe Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane. Nën-komiteti u krijua në dhjetor të vitit 1997, me qëllim studimin e modaliteteve për konvertimin e borxhit në fazën 3 të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar dhe çështjeve të tjera të lidhura me titujt e qeverisë dhe ato të tregjeve në kontekstin e adoptimit të euros. Më tej, mandati i nën-komitetit ka qenë për të promovuar integrimin dhe funksionimin më të mirë të tregjeve të BE-së përsa u përket titujve të qeverisë.
  3. Komiteti i Shërbimeve Financiare
    Komiteti i Shërbimeve Financiare (FSC)  u themelua më 18 shkurt 2003 nga Këshilli ECOFIN me mandat për kryerjen e detyrave të mëposhtme: 
  • parashtron analiza ndër-strategjike në mënyrë te pavarur nga procesi legjislativ;
  • ndihmon për përcaktimin e strategjisë afatgjatë dhe afatmesme për çështjet e shërbimeve financiare;
  • shqyrton çështje sensitive afatshkurtra;
  • vlerëson progresin dhe zbatimin;
  • siguron këshillim politik dhe monitorim si për çështjet e brendshme (për shembull, tregu i përbashkët, përfshirë zbatimin e Planveprimit për Shërbimet Financiare) ashtu edhe për ato të jashtme (për shembull, Organizata Botërore e Tregtisë – OBT).
     

4. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) përgatit çështjet për diskutim në Këshill dhe është i përbërë nga dy nivele. COREPER II është një organ i rëndësishëm dhe përbëhet nga ambasadorët e Shteteve Anëtare në Bruksel, të cilët punojnë mbi çështjet ekonomike dhe financiare, dhe marrëdhëniet e jashtme. COREPER I përbëhet nga zëvendës ambasadorë dhe është përgjegjës për çështje si mjedisi, çështjet sociale, dhe të tregut të brendshëm. Të dy komitetet takohen të paktën çdo javë dhe zakonisht udhëzojnë grupet e punës të realizojnë punën përgatitore. Kur grupet e punës nuk arrijnë marrëveshje mbi një propozim, atëherë çështja i kalohet komitetit COREPER përkatës.

5. Banka Qendrore Evropiane

Banka Qendrore Evropiane (BQE) është banka qendrore për monedhën e vetme evropiane, euro. Detyra kryesore e BQE-së është të ruajë fuqinë blerëse të euros dhe, rrjedhimisht, stabilitetin e çmimeve në eurozonë. Eurozona përfshin 17 vendet e Bashkimit Evropian që kanë adoptuar euron që nga viti 1999.
Hartë interaktive e eurozonës 1999-2011

http://www.ecb.int/euro/intro/html/map.en.html


6. Komiteti Evropian i Bankave

Komiteti Evropian i Bankave u krijua në vitin 2005 nëpërmjet Vendimit të Komisionit të datës 5 nëntor 2003 si një Komitet i nivelit të dytë për të këshilluar Komisionin mbi çështjet e politikave që kanë të bëjnë me aktivitetet bankare (zëvendëson Komitetin e Këshillimit mbi Bankat). Përsa i përket fushës së bankave dhe mbikëqyrjes, BQE-ja përfaqësohet në Komitetin e Mbikëqyrësve Evropianë të Bankave, i cili është një Komitet i nivelit të tretë.


7. Komiteti Ekonomik dhe Financiar

Komiteti Ekonomik dhe Financiar (EFC) përbëhet nga përfaqësues te 27 Shteteve Anëtare, të cilët janë përgjegjës për administrimin e borxhit publik, ose përfaqësues nga, ministria e financës ose banka qendrore. Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane përfaqësohen në këtë Komitet.  


8. Komiteti Evropian i Konglomerateve Financiare

Komiteti Evropian i Konglomerateve Financiare (EFCC) është një Komitet i nivelit të dytë, i cili këshillon Komisionin Evropian mbi çështjet e politikave në lidhje me konglomeratet financiare. Komisioni Evropian miratoi Komunikimin mbi Planveprimin për Shërbimet Financiare më 11 maj 1999 dhe u miratua nga Këshilli Evropian i Lisbonës në mars të vitit 2000. Në të rekomandohen 42 masa për krijimin e një tregu të përbashkët për shërbimet financiare në Evropë. Në veçanti, ato shërbejnë si rregulla-kuadër për një treg të përbashkët me pakicë, një treg të hapur e të sigurt për shërbimet financiare me pakicë, dhe për mbikëqyrjen dhe rregullat e kujdesshme.


9. Komiteti i Shërbimeve Financiare

Komiteti i Shërbimeve Financiare (FSC) u krijua më 18 shkurt 2003 nga Këshilli ECOFIN me mandatin për të parashtruar analiza ndër-strategjike në mënyrë të pavarur nga procesi legjislativ; për të ndihmuar në përcaktimin e strategjisë afatgjatë dhe afatmesme për çështjet e shërbimeve financiare; për të konsideruar çështjet sensitive afatshkurtra; për të dhënë këshillim politik dhe mbikëqyrje si në çështjet e brendshme (p.sh. tregu i përbashkët, duke përfshirë zbatimin e Planveprimit të Shërbimeve Financiare) dhe çështjet e jashtme (p.sh. OBT-ja).


10. Gjykata Evropiane e Drejtësisë

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ) ka një rol të ngjashëm me atë të gjykatave ekzistuese në Shtetet Anëtare. Ajo është përgjegjëse për zgjidhjen e konflikteve ligjore: midis Shteteve Anëtare;  midis BE-së dhe Shteteve Anëtare; midis institucioneve të BE-së dhe autoriteteve përkatëse, si dhe konflikteve midis qytetarëve dhe Bashkimit Evropian. Veç kësaj, gjyqtarët në Shtetet Anëtare mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane mbi çështje në lidhje me interpretimin e legjislacionit Komunitar. Gjykata e Shkallës së Parë u themelua në vitin 1988 pas një ndryshimi në Aktin Unik Evropian me qëllim që të shqyrtonte një pjesë të çështjeve drejtuar Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, për të lehtësuar punën e kësaj të fundit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *