Këshilli i BE-së

Këshilli i BE-së

Bashkë me Parlamentin Evropian, Këshilli është organi përgjegjës për miratimin e ligjeve të propozuara nga Komisioni. Ai përbëhet nga një anëtar për çdo Shtet Anëtar. Presidenca e Këshillit ndërrohet çdo gjashtë muaj, në mënyrë që një Shtet Anëtar i vetëm të mos ketë shumë ndikim në procesin e përzgjedhjes së politikave Komunitare. Takimet e Këshillit rregullohen në bazë të çështjeve për t’u diskutuar, gjatë të cilave mblidhen ministrat përkatës të Shteteve Anëtare. Gjithashtu, në këto takime merr pjesë edhe anëtari i Komisionit Evropian që është përgjegjës për çështjet që do të diskutohen në Këshill. Gjithashtu, Këshilli ka në dispozicion një sërë nën-komitetesh dhe grupe pune. Sipas çështjes për të cilën diskutohet Këshilli vendos me unanimitet, shumicë të kualifikuar, ose shumicë të thjeshtë. Shumica e kualifikuar arrihet me 255 vota nga 345 në total, duke përfaqësuar shumicën e Shteteve Anëtare. Më tej, një Shtet Anëtar mund të kërkojë një verifikim nëse shumica e kualifikuar përfaqëson të paktën 62% të popullsisë totale të Bashkimit.

  1. Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare
    Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare (ECOFIN) përbëhet nga ministrat e ekonomisë dhe financave të Shteteve Anëtare (në rast se diskutohen çështje të lidhura me buxhetin, atëherë thirren edhe ministrat përgjegjës për buxhetin). ECOFIN-i trajton shumë çështje duke përfshirë: koordinimin e politikave ekonomike, mbikëqyrjen ekonomike, monitorimin e politikave të buxhetit të ndjekura nga Shtetet Anëtare dhe financat publike, monedhën euro (aspekte ligjore, praktike dhe ndërkombëtare), tregjet financiare dhe lëvizjet e kapitalit si dhe marrëdhëniet ekonomike me vendet e treta. Në të vendoset kryesisht me shumicë të kualifikuar me përjashtim të çështjeve fiskale të cilat vendosen me unanimitet.
  2. Komiteti Ekonomik dhe Financiar
    Komiteti Ekonomik dhe Financiar (EFC) është një nën-komitet i Këshillit dhe përshin përfaqësues të 27-të Shteteve Anëtare të BE-së, përgjegjës për administrimin e borxhit publik ” zakonisht nga zyra e borxhit, ministria e financës ose banka qendrore kur këto çështje varen nga këto struktura kombëtare. Në këtë nën-komitet, përfaqësohen edhe Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane. Nën-komiteti u krijua në dhjetor të vitit 1997, me qëllim studimin e modaliteteve për konvertimin e borxhit në fazën 3 të Bashkimit Ekonomik dhe Monetar dhe çështjeve të tjera të lidhura me titujt e qeverisë dhe ato të tregjeve në kontekstin e adoptimit të euros. Më tej, mandati i nën-komitetit ka qenë për të promovuar integrimin dhe funksionimin më të mirë të tregjeve të BE-së përsa u përket titujve të qeverisë.
  3. Komiteti i Shërbimeve Financiare
    Komiteti i Shërbimeve Financiare (FSC)  u themelua më 18 shkurt 2003 nga Këshilli ECOFIN me mandat për kryerjen e detyrave të mëposhtme: 
  • parashtron analiza ndër-strategjike në mënyrë te pavarur nga procesi legjislativ;
  • ndihmon për përcaktimin e strategjisë afatgjatë dhe afatmesme për çështjet e shërbimeve financiare;
  • shqyrton çështje sensitive afatshkurtra;
  • vlerëson progresin dhe zbatimin;
  • siguron këshillim politik dhe monitorim si për çështjet e brendshme (për shembull, tregu i përbashkët, përfshirë zbatimin e Planveprimit për Shërbimet Financiare) ashtu edhe për ato të jashtme (për shembull, Organizata Botërore e Tregtisë – OBT).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *