Reforma në drejtësi dhe integrimi në BE

Reforma në drejtësi dhe integrimi në BE

140 vota pro reformës në drejtësi dha politika shqiptare në vitin 2016. Të majtë e të djathtë bashkuan votat për një nga reformat më të rëndësishme që i duhej vendit edhe në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Reforma në drejtësi është një prej kushteve themelore të kërkuara nga Brukseli.  Megjithatë jo gjithçka ka shkuar siç duhet. Kur Shqipëria ka 4 vite që ka miratuar reformën në drejtësi, nëpërmjet ndryshimeve Kushtetuese,  ende sot ajo nuk është implementuar si e plotë, madje duke krijuar jo pak problematika. Ndërsa shkaqet e kësaj vonese i rrëfen avokatja Enida Bozheku e cila thekson:

Këto janë reforma strukturore që prekin Kushtetutën. Jemi shumë vonë për sa i përket parashikimit të BE-së. Jemi në një fazë që edhe vetë sistemi e krijoi këtë ngërç pasi reforma filloi aplikimin e saj me shkallët më të larta si psh Gjykatën Kushtetuese, pra duke e zbrazur vendin nga institucionet. Kjo ka sjellë një ngërç institucional dhe besueshmërie tek kjo reformë”. 

E kur diçka nuk ecën siç duhet kërkohen fajtorët, shkaktarët e saj. Avokatja e njohur Enida Bozheku e sheh fajin tek politika shqiptare.

Klasa politike që në fillimet e veta e ka ditur që reforma në drejtësi do të ishte e dështuar në lidhje me kohën, ranë afatet kohore. 140 votat ishin të imponuara, sepse asnjë nga klasa politike nuk ka interes për një reformë në drejtësi efikase dhe të shpejtë sepse do të prekte pozitat e tyre. Mendoj se ata, pra politikanët, janë faktori dhe fajtorët e vonesës”.

Baza në një shoqëri demokratike është drejtësia, ndaj Shqipëria ndërmori një reformë kaq të thellë në drejtësi. Madje për këtë reformë kaq të rëndësishme edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian u angazhua personalisht ambasadori i SHBA-së në atë kohë Donald Lu si dhe ajo e BE Romana Vlahutin. Ishin ata që arritën kompromisin e gjerë politik, por që frytet duken ende larg. Por pse Enida Bozheku akuzon klasën politikë si shkaktare të vonesës së implementimit të reformës në drejtësi? Përgjigjja është direkte.

Të gjithë politikanët tanë, me pasuritë që përflitet që kanë, duan ti mbrojnë për shkak të paligjshmërisë të tyre. Ndaj një sistem drejtësie i fuqishëm, i pavarur dhe i pakontrollueshëm nga ata, do t`ua shkatërronte pasurinë. Kjo është arsyeja që nuk ka pasur interes për një reformë të thellë në drejtësi”.

Megjithatë puna për vënien në jetë të institucioneve të reja të drejtësisë vijon. Madje edhe në raportin e fundit kjo është pika me kërkesën kryesore të Brukselit për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt çeljes së negociatave. Pra Shqipërisë i duhet të ecë me shpejtësi në këtë drejtim në mënyrë që rruga të jetë e shpejtë dhe e shkurtër drejt anëtarësimit në familjen evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *