SI ËSHTË NDËRTUAR MARRËVESHJA E STABILIZIM-ASOCIIMIT?

SI ËSHTË NDËRTUAR MARRËVESHJA E STABILIZIM-ASOCIIMIT?

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është e ndarë në tituj, kapituj dhe nene, përmbajtjen e të cilave do ta përshkruajmë shkurtimisht më poshtë, duke ndjekur një strukturë të ngjashme me atë të MSA-së. Dialogu politik Në kuadër të dialogut politik Shqipëria duhet të përshtasë qëndrimet e saj në politikën e jashtme me ato të diplomacisë së Bashkimit Evropian, duke humbur në këtë mënyrë një pjesë të sovranitetit të vet. Bashkëpunimi rajonal Bashkëpunimi rajonal është një nga kapitujt më të rëndësishëm të MSA-së dhe synon ta integrojë Shqipërinë sa më tepër në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Ky është një proces që përfshin të gjitha fushat e bashkëpunimit, që nga ai politik e ekonomik, deri tek bashkëpunimi institucional, social e kulturor. Shqipëria duhet të zhvillojë bashkëpunimin rajonal me vendet që kanë nënshkruar Marrëveshje StabilizimAsociimi, vendet e tjera të Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe vendet kandidate për anëtarësim në BE. Nëpërmjet bashkëpunimit rajonal synohet të krijohet një zonë stabiliteti dhe zhvillimi ekonomik në rajonin e Ballkanit. Në të njëjtën kohë bashkëpunimi rajonal paraqet një shans për forcimin e rolit të Shqipërisë në rajon dhe më gjerë si një partner i besueshëm në marrëdhëniet politike dhe tregtare. Hapja e tregut Shqipëria dhe Komuniteti Evropian do të hapin tregun ndërmjet tyre, gjë që do të thotë se ato do të heqin detyrimet doganore, kufizimet sasiore dhe masat e tjera që kanë këtë efekt për mallrat që do të eksportohen nga Shqipëria në Komunitetin Evropian dhe anasjelltas. Nga ana tjetër, Palët nuk do të marrin masa për mbrojtjen e produkteve kombëtare në tregtinë që do të zhvillojnë ndërmjet tyre. Gjithashtu ndalohet vendosja e detyrimeve të reja doganore për importet ose ekportet, si dhe e kufizimeve të reja sasiore, duke synuar ruajtjen e nivelit ekzistues të hapjes së tregut ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Hapja e tregut ka edhe  elementë të tjerë përveç lëvizjes së lirë të mallrave; që të sigurohet efektshëria e kësaj të fundit parashikohet gjithashtu liria e shqiptarëve (dhe europianëve anasjelltas) për të ofruar shërbime, për të lëvizur lirisht kapitalin e tyre, për t’u vendosur dhe për të lëvizur lirisht në territorin e Komunitetit Evropian. Por këto liri jepen kundrejt plotësimit të një sërë kushteve nga ana e Shqipërisë. Çështje ligjore Këto janë çështje që lidhen me hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria drejt plotësimit të njërit prej kritereve të Kopenhagenit (është fjala për kriteret që duhet të plotësojë një shtet për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian; këto kritere u shpallën në Samitin e Kopenhagenit të vitit 1993): përfshirja e legjislacionit të Bashkimit Europian në korpusin ligjor të Shqipërisë dhe zbatimi i tij. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit nuk e vendos Shqipërinë menjëherë përpara këtij detyrimi, por kërkon që Shqipëria të hedhë hapat e nevojshëm për t’u përgatitur për përfshirjen e plotë dhe zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian. Kështu Shqipërisë fillimisht i kërkohet të përafrojë legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Evropian në disa fusha të rëndësishme për funksionimin e tregut dhe shtetit ligjor. Drejtësia, liria dhe siguria Në këtë fushë të Marrëveshjes Shqipëria duhet të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian për të forcuar institucionet e saj në të gjitha nivelet, por në veçanti ato institucione që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë. Bashkëpunimi ndërmjet Palëve synon fuqizimin, pavarësinë dhe efektshmërinë e funksionimit të sistemit gjyqësor dhe strukturave të tjera përgjegjëse për vendosjen dhe respektimin e shtetit ligjor. Bashkëpunimi në fushën e Drejtësisë, Lirisë dhe Sigurisë do të mbështetet në dy shtylla kryesore. Shtylla e parë lidhet me bashkëpunimin në fushën e lëvizjes së lirë të personave dhe parashikon një sërë dispozitash për vizat, azilin, migracionin, menaxhimin e kufirit dhe politika të tjera që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve. Shtylla e dytë lidhet me bashkëpunimin në luftën kundër fenomeneve të krimit të organizuar, terrorizmit, pastrimit të parave dhe drogave të paligjshme dhe parashikon dispozita sipas të cilave Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të angazhojnë strukturat e tyre policore dhe gjyqësore në një luftë të përbashkët kundër fenomeneve të lartpërmendura. Politikat sektoriale Politikat sektoriale përfshijnë një numër të madh fushash, disa prej të cilave janë me rëndësi strategjike për Shqipërinë, si: transporti, energjia, bankat, turizmi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme etj. Shqipëria do të përfitojë asistencë për ristrukturimin dhe rimëkëmbjen e këtyre sektorëve. Megjithatë, asistenca e Bashkimit Evropian nuk do të thotë investime direkte në sektorët e lartpërmendur, por do të jetë e përqendruar në forcimin e kapaciteteve dhe ngritjen e strukturave të nevojshme për zhvillimin me efikasitet të politikave sektoriale. Asistenca financiare Bashkimi Evropian, në kuadër të politikave për t’u zgjeruar duke përfshirë vendet në lindje të kontinentit evropian, ka patur një angazhim konkret në Ballkanin Perëndimor që prej vitit 1991. Programet e ndihmës për Shqipërinë kanë qenë PHARE dhe CARDS. Këto programe kanë synuar të ndihmojnë Shqipërinë për të përparuar në procesin e Integrimit Evropian, duke u përqendruar (sidomos programi CARDS) tek rindërtimi i vendit, zhvillimi dhe stabilizimi i arritjeve në planin politik, ligjor dhe ekonomik. Programi i ri i asistencës së Bashkimit Evropian për Shqipërinë quhet IPA (Instrumenti i Para-anëtarësimit). Ky program i ri asistence do të marrë në konsideratë ndryshimet e ndodhura në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, si dhe fazën e tanishme të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Nëpërmjet IPA-s Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Shqipërinë të zbatojë detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *