Vështirësitë e rrugëtimit drejt BE-së, Arta Dade bën një pasqyrë të plotë të situatës

Vështirësitë e rrugëtimit drejt BE-së, Arta Dade bën një pasqyrë të plotë të situatës

30 vite demokraci, 30 vite rrugëtim drejt integrimit në familjen evropiane. Por ende sot Shqipëria vijon të “trokasë” pranë derës së Bashkimit Evropian. Rrugëtimi ka qenë i gjatë, herë – herë i thjeshtë, por herë të tjera mjaft i vështirë. Nuk ka kompromis me standardet evropiane ndaj Shqipërisë i është dashur të punojë shumë, e të ndërmarrë shumë reforma.

 Por puna ka qenë mjaft e madhe e natyrshëm ka dashur edhe shumë kohë. Arta Dade është një prej politikanëve që e ka ndjekur nga afër të gjithë këtë proces.

Integrimi i Shqipërisë në BE ka qenë një aspiratë e kahershme e shqiptarëve. Thirrja e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, daton shumë pas në vite, në vitin 1990. Pra i thonë 30 vite që shqiptarët aspirojnë për t`u bërë pjesë e BE- thekson Dade”.

Ish Ministre e Jashtme, ish kryetare e Komisionit Parlamentar të Jashtëm zonja Dade njeh çdo hap dhe çdo kusht që duhet të arrijë vendi ynë përpara se sa ai të jetë anëtar me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Ndërsa sot ne jemi mjaft pranë por në fakt rruga ka qenë shumë e vështirë. Krizat politike dhe jo vetëm, edhe ngjarjet e rënda që kanë shoqëruar vendin tonë kanë pasur ndikime negative në këtë proces. Madje ish Ministrja e Jashtme Arta Dade nuk ngurron të thotë se disa prej tyre kanë ndikuar shumë negativisht dhe kanë vonuar procesin e integrimit në familjen e madhe evropiane. Një prej tyre janë dhe trazirat e vitit të mbrapshtë ’97.

Dade shprehet se:  “”Ngjarjet ‘96-‘97 i kushtuan Shqipërisë të paktën 10 vite vonesë. Pikë së pari është zhbërja e shtetit, por në mënyrë të veçantë zgjedhjet e ’96-ës. Pas kësaj pasuan edhe ngjarjet e ’98-ës që detyruan BE-në që të krijonte “Miqtë e Shqipërisë”.

E teksa ngjarje të tilla kanë ndikuar mjaft negativisht në të gjithë rrugëtimin tonë drejt integrimit në familjen evropiane, edhe vetë klasa politike, qeveritë e ndryshme, zonja Dade i sheh si “fajtore” të kësaj vonese. Ajo nuk ngurron të thotë se:

“Qeveritë nuk i janë përgjigjur kësaj aspirate të kahershme të shqiptarëve. Vonesat në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian akuzojnë të gjitha qeveritë ndër vite. Ky ka qenë një proces i dominuar nga politika dhe jo nga ekspertët. Ndërsa të gjitha qeveritë ndër vite e kanë parë si një proces për të nxjerrë përfitime për partinë  e radhës, qeverinë e radhës”.

Duke qenë personalisht një eksponent i rëndësishëm në këtë proces, me kontribut në institucionet më të larta përgjegjëse për ecurinë e Shqipërisë drejt familjes evropiane, vetë zonja Dade nuk e ka menduar që vendit do ti duheshin kaq shumë vite dhe ende nuk është bërë pjesë e integruar e Bashkimit Evropian.

 Ajo thotë se : “Nuk e kam menduar kaq gjatë. Madje nuk e kam menduar kaq gjatë edhe kurrë vetë kam qenë Ministre e Jashtme. Është për të ardhur keq që edhe kur Shqipëria ka bërë hapa përpara ka ndodhur diçka që procesi është kthyer mbrapsht. Pra nuk ka qenë një proces linear”.

Pas 3 dekadash, pas reformash të mëdha dhe të thella a jemi gati që të jemi pjesë e familjes Europiane?

 “Besoj se duhet ti japet një shans Shqipërisë, që të hapen negociatat dhe pastaj fillon padyshim një sfidë tjetër, sfida e stafeve të kualifikuara  për të negociuar dhe për të bërë prezente ato arritje sado minimale që të jenë, por është shumë e rëndësishme mënyra se si ti si vend i marketon”.

Shqiptarët në masën 90% kërkojnë dhe duan integrimin e Shqipërisë në BE, shpresojnë për standarde dhe një nivel të ri social – ekonomik. Por megjithatë ky proces nuk shihet i ndarë nga Ish Ministrja e Jashtme Arta Dade me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit.

Zonja Dade thotë se: “ Aktorët e tretë, të cilët nuk do ta donin Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, do të përforconin përpjekjet e tyre për të penguar vendet e këtij rajoni të vazhdojnë progresin në Bashkimin Evropian dhe do ta donin këtë rajon të destabilizuar dhe në kaos”.

*Ky shkrim është shkruar në kuadër të projektit Eksploro BE, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Opinionet e shpehura në të, janë përgjegjësi e Infinit + dhe Qendra Media dhe Cështjet Shoqërore dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BE – së.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *