Zgjedhjet kusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian

Zgjedhjet kusht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian

Jo vetëm drejtësia, edhe zgjedhjet janë një kusht i rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pas çdo procesi zgjedhor, Shqipërisë i renditeshin pikat ku duhet të ndërhynte në Kodin Zgjedhor për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Politika ulej në tryeza të përbashkëta, kundërshtarët shtrëngonin duart dhe bashkonin votat për miratimin e ndryshimeve zgjedhore, të cilat synonin arritjen e standardeve në zgjedhje. Por sërish pas çdo procesi gjithçka niste nga e para, tryeza, komisione parlamentare, marrëveshje e konsensus politik, por zgjedhjet e lira e të ndershme ishin ende larg, standardet europiane ishin larg, e Shqipëria nuk përmbushte kështu një kriter të rëndësishëm për procesin e integrimit.

Këtë proces e shpjegon më mirë, një nga ekspertët më profesionistë të proceseve zgjedhore në vend, që ka drejtuar edhe Komisionin Qëndror të zgjedhjeve Kristaq Kume.  Drejtuesi i këtij institucioni edhe në periudha të vështira sic ishte ajo  i vitit ’97 e Kristaq Kume na rrëfen se si ka qenë rrugëtimi i gjithë proceseve zgjedhore në vendin tonë.

Kristaq Kume:

“Zgjedhjet e para pas 90-ës, ku dhe përqindja ka qenë shumë e madhe, kanë qenë proces plebishitar. Shqiptarët u shprehen për largimin nga diktatura që ishte instaluar për 5 dekada. Më pas partitë politike filluan të ngjizin sjellje jo për përmirësimin e standardeve zgjedhore por që të garantonin pushtetin e tyre”.

Por nuk ka qenë i lehtë i gjithë rrugëtimi zgjedhor në vend përgjatë tranzicionit shqiptar. Ashtu siç ka qenë rrugëtimi i Shqipërisë e uljet dhe ngritjet e saj edhe proceset zgjedhore kanë pasur luhatjet e tyre, madje disa herë shumë të forta dhe dramatike për vendin. Ish kreu i KQZ Kristaq Kume thotë se: “Plotësimi i standardeve të zgjedhjeve nga njëri proces në tjetrin nuk ka ecur në mënyrë linerare. Ka pasur uljet dhe ngritjet por në përgjithësi trendi ka qenë pozitiv”.

Por duke qenë se proceset zgjedhore, arritjet e standardeve më të larta demokratike janë edhe kusht i vendosur nga Brukseli për ecurinë e vendit drejt integrimit të plotë në familjet Europiane, qeveritë gjithsesi kanë punuar për  arritjen e standardeve. Kështu Kristaq Kume na sjell në vmendje edhe zgjedhjet ku u arritën standarded më të larta e po ashtu dhe rastet më negative. Kume thotë se:”Janë zgjedhjet e 2013-ës ato që kanë arritur standardet më të larta në Shqipëri. Po ti referohemi edhe raportit të OSBE ODHIR, ato e konsiderojnë procesin e zgjedhjeve të përgjithshme të 2013 si një progres ku u arrit plotësimi i standardeve më të mira zgjedhore në Shqipëri. Ndërsa zgjedhjet që shënjuan njollë në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri janë ato të vitit ’96”.

Duke qenë kusht për integrimit reforma zgjedhore ka bashkuar palët. Madje edhe sot, kohë kur klasa politike është e përfshirë në një krizë të paprecedentë sërisht ndryshimet në Kodin Zgjedhor bënë bashkë të majtë e të djathtë. Ata kanë arritur kompromisin e parë.  Synimi është i qartë miratimi i ndryshimeve zgjedhore me konsensus. Por rëndësia në procesin e integrimit të zgjedhjeve në Shqipëri është theksuar në vazhdimësi nga partnerët tanë ndërkombëtarë, ndaj dhe angazhimi i tyre ka qenë i madh dhe i vazhdueshëm në këtë drejtim.

Por pavarësisht këshillës apo kujtesës për rëndësinë që kanë zgjedhjet në procesin integrues të vendit, sërish për ish kreun e KQZ partitë në plan të parë kanë vënë pushtetin e tyre. Kristaq Kume thotë se: “Në prononcimet e përsëritura të ndërkombëtarëve gjejmë gjejmë deklarata se procesi zgjedhor është shumë i rëndësishëm jo vetëm për zgjedhjen e pushtetit por dhe për ecurinë e integrimit. Ky ka qenë sfond që ka shoqëruar gjithnjë proceset zgjedhore. Ndjenja për të marrë pushtetit ka mbizotëruar më shumë sa sa interesi për të arritur standardete në procese zgjedhore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *